Rritje e çmimeve dhe ulje e shitblerjes së produkteve bujqësore në RMV, veçanërisht te produktet e qumështit

Maqedonia e Veriut ka shënuar rritje të çmimeve në produktet bujqësore, ndërkohë është regjistruar ulje e shitblerjes së produkteve në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, transmeton Portalb.mk.

“Indeksi i çmimeve në bujqësi gjatë muajit korrik të vitit 2023, krahasuar me periudhën e njëjtë nga viti paraprak, tek inputi është zvogëluar për 4.3 %, ndërsa tek autputi vërehet rritje nga 16.2 %”, raportoi Enti Shtetëror i Statistikave, duke shtuar që te prodhimet bimore kemi rritje për 17 %, ndërsa te ato shtazore për 14.8 %. Te produktet bimore dallohen perimet me një rritje për 28.2%.

Enti sqaroi që mjetet e shpenzuara në bujqësi janë ulur për 5.1 %, ndërsa mjetet e dedikuara për investim në bujqësi janë rritur për 8.3 %.

Shitja dhe blerja e produkteve bujqësore në tremujorin e dytë të vitit 2023 ishte 3 254 746 000 denarë dhe në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak është ulur për 3.4 %”, raportoi Enti, duke alarmuar që ulje e theksuar është regjistruar te produktet e qumështit për 76.7 %, te ato bimore 22.8 % dhe frutat 38.2 %.