Rritet numri i udhëtarëve dhe fluturimeve në aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës (ANP) “Adem Jashari” i udhëhequr nga Konsorciumi “Limak” gjatë viteve të fundit ka shënuar progres në numrin e udhëtarëve dhe fluturimeve, raporton Anadolu.

Sipas ANP-së, viti 2023 arriti në përfundimin e tij me 3.424.883 udhëtarë ose 14.37 përqind më shumë se viti 2022, ndërsa numri i fluturimeve ishte 23.278 fluturime ose 7.50 përqind më shumë se viti 2022.

“E njëjta tendencë e këtij zhvillimi ka vazhduar edhe në tremujorin e parë të vitit 2024. Në muajin janar ka pasur rritje të numrit të udhëtarëve prej 21.84 përqind dhe 23.25 përqind të numrit të fluturimeve, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa shkurti ka shënuar rritje prej 37.62 përqind në numrin e udhëtarëve dhe 32.96 përqind në numrin e fluturimeve. Marsi 2024 ka shënuar rritje 29.44 përqind në udhëtarë dhe 22.99 përqind në fluturime”, thuhet në njoftim.

Tremujori i parë i vitit 2023 sipas aeroportit pati 649.858 udhëtarë ndërsa viti 2024 shërbeu 839.546 udhëtarë ose 29.19 përqind më shumë. Tremujori i parë i vitit 2023 shërbeu 4.256 fluturime ndërsa tremujori 2024 kishte 5.376 ose 26.32 përqind më shumë.

Me këtë rast kryeshefi ekzekutiv dhe anëtari i Bordit të Drejtorëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Hakan Ozturk tha se janë të entuziazmuar të dëshmojnë suksesin e viteve të fundit.

Ai falënderoi udhëtarët, partnerët, stafin dhe të gjithë komunitetin për mbështetjen e tyre.

“Për më tepër, ne ia atribuojmë këtë sukses angazhimit të palëkundur për të ofruar shërbimet më të mira të mundshme dhe për të garantuar nivelet më të larta të sigurisë për klientët tanë të çmuar. Kënaqësia dhe siguria e udhëtarëve tanë, mbetet prioriteti ynë kryesor”, theksoi Ozturk.

Rritja e numrit të udhëtarëve dhe fluturimeve ka rezultuar po ashtu në një kontribut të madh për Republikën e Kosovës. Shuma totale e investimit është 120 milionë euro ndërsa kontributi për Republikën e Kosovës deri në mars 2024 është mbi 221.32 milionë euro.

Gjithashtu, si përgjigje ndaj rritjes së numrit të udhëtarëve, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” është duke zgjeruar infrastrukturën e tij dhe aktualisht ka të punësuar rreth 850 punonjës.

Gjatë vitit 2024 në këtë aeroport janë shtuar linja të reja dhe frekuenca të reja shtesë e atyre ekzistuese. Linjat dhe frekuencat shtesë të reja të shtuara për vitin 2024 janë: Luksemburg, Halmstad, Riga, Izmir, Frankfurt Hahn, Burgas, Këln Bon, Oslo, Kopenhagë, etj.