Rreth një mijë xhami të dëmtuara nga sulmet izraelite në Gaza

Gati 1.000 xhami janë dëmtuar në sulmet izraelite në Rripin e Gazës vitin e kaluar, thanë sot autoritetet palestineze, transmeton Agjencia Anadollu

Në një deklaratë, Ministria e Vakëfeve dhe Çështjeve Fetare tha se 815 objekte myslimane të adhurimit janë shkatërruar plotësisht dhe 151 të tjera janë dëmtuar pjesërisht.

Ministria tha se 19 varreza dhe tri kisha janë shkatërruar gjithashtu në luftën gjenocidale të Izraelit në Gaza në vitin 2024.

Në Bregun Perëndimor të pushtuar, ministria ka regjistruar 256 ndërhyrje të kolonëve në Xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar vitin e kaluar.

Sipas ministrisë, rreth 2.567 kolonë të paligjshëm hynë me forcë në kompleksin e xhamisë për të festuar festën njëjavore hebreje Hanukkah, e cila u shënua nga 25 dhjetori deri më 2 janar.

Ministria gjithashtu ka dokumentuar sulme izraelite në 20 xhami në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Të paktën 88 palestinezë të tjerë janë vrarë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vrarëve që nga viti i kaluar në 45.805, tha sot Ministria e Shëndetësisë në enklavë, transmeton Agjencia Anadollu.

Në një deklaratë, ministria tha po ashtu se rreth 109.064 persona janë plagosur në sulmet izraelite në vazhdim.

“Forcat izraelite vranë 88 persona dhe plagosën 208 të tjerë në pesë masakra ndaj familjeve në 24 orët e fundit”, tha ministria.

“Shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë pasi shpëtimtarët nuk janë në gjendje të arrijnë tek ata”, shtoi ajo.

Izraeli ka nisur një luftë gjenocidale në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas në tetor të vitit të kaluar.

Gjenocidi në Gaza, tashmë në vitin e dytë, ka tërhequr reagime ndërkombëtar në rritje, me zyrtarë dhe institucione që i etiketojnë sulmet dhe bllokimin e dërgesave të ndihmave si një përpjekje të qëllimshme për të shkatërruar popullsinë palestineze.

Muajin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi ​​urdhër-arrest për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për luftën e tij vdekjeprurëse në Gaza.