RMV, vetëm pesë zjarre aktive nga 49 sa kishte dje

Pesë zjarre janë ende aktive në territorin e shtetit nga gjithsej 49 që janë regjistruar ditën e djeshme dhe në të cilat kanë ndërhyrë ekipet e zjarrfikësve, njoftoi paraditen e sotme Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK), transmeton Portalb.mk.

Tre nga zjarret janë në komunën e Dollnenit, Prilep, ku ende ka djegie, një në drejtim të fshatit Ralevë dhe drejt fshatit Slivje. Në këtë zonë është aktiv edhe zjarri në rrugën nga fshati Kostinci në fshatin Zërze.

Siç informon QMK, preket bari i thatë, bimësia e ulët dhe pyjet e degraduara.

Sipas njoftimit të Qendrës, zjarri në fshatin Beljakovc të Kumanovës vazhdon të jetë aktiv, ku digjet bar i thatë dhe pyll i ulët, si dhe ai afër fshatit Gjonovicë e poshtme, në zonën e komunës së Gostivarit, ku janë përfshirë pyll dushku dhe pyll i ulët, livadhe dhe shkurre.

Janë shuar 44 zjarret e mbetura, të cilat digjeshin dje në territorin e shtetit.

Sipas QMK-së, më së shumti ka pasur në Shkup dhe rrethinë, gjithsej 11, duke përfshirë edhe ato në shtrirjen nga lagjja Ilinden deri në fshatin Haraçinë dhe në fshatin Haraçinë, ku digjej kallamishte, mbeturina dhe bar i thatë.

Ndryshe, pas reagimeve të qytetarëve të komunës së Aerodromit për shkak të erës së pakëndshme që po përhapej në territorin e komunës, inspektorët komunalë dolën në terren dje pasdite. Siç ka njoftuar mëngjesin e sotëm nga Komuna, në afërsi të stacionit “Lisiçe” kanë konstatuar zjarr, i cili është shuar menjëherë nga shërbimi zjarrfikës. Ky zjarr, siç bëjnë të ditur nga atje, nuk ka qenë shkaktar i tymit të përhapur në territorin e Aeroportit.

“Në të njëjtën kohë, nga ana e tyre (inspektorëve) është konstatuar se tymi dhe era janë shkaktuar nga zjarret që vijnë nga komunat tjera të qytetit të Shkupit dhe rrethinës. Për zgjidhjen e problemit dhe duke pasur parasysh se kompetencat e inspektoratit komunal janë vetëm në territorin tonë, Komuna e Aerodromit disa herë ka reaguar për shuarjen e tyre. Me këtë rast u bëjmë thirrje edhe një herë shërbimeve kompetente që të marrin të gjitha masat e nevojshme për zgjidhjen e problemit. Komuna e Aerodromit vazhdon të jetë në dispozicion për zgjidhjen e të gjitha problemeve që janë në kompetencë të komunës”, thuhet në njoftimin e Komunës së Aerodromit.

Sipas raportit të QMK-së, dje në komunën e Prilepit ka pasur dhjetë zjarre, ku në katër raste të ndara ekipet e zjarrfikësve kanë intervenuar në kazermat e qytetit. Pesë zjarre kanë djegur edhe në komunën e Strugës, tre në Manastir, po aq edhe në territorin e komunës së Velesit.

Të gjitha këto zjarre janë shuar dhe sipas raportimit në to janë djegur bar i thatë, kashtë, mbeturina dhe shkurre.