RMV, vetëm në maj, 143 persona ishin viktima të dhunës në familje
Gjatë muajit maj 2026 janë raportuar gjithsej 191 vepra penale të dhunës në familje, që paraqet një rritje prej 70,5 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), transmeton Portalb.mk.
Sipas MPB-së, pjesa më e madhe e veprave penale janë për “lëndim trupor” – 130 raste dhe “rrezikim i sigurisë” – 52 raste. Nga veprat më të rënda penale, në këtë periudhë është kryer një vrasje në territorin e SPB Manastir dhe dy raste të lëndimeve të rënda trupore.
Numri më i madh i veprave penale të dhunës në familje gjatë kësaj periudhe është raportuar në territorin e Sektorit për Punë të Brendshme Shkup, me 62 raste.
“Gjatë muajit të kaluar, Ministria e Punëve të Brendshme ka paraqitur gjithsej 137 kallëzime penale. Edhe në këtë aspekt ka një rritje prej 71,3 për qind krahasuar me majin e vitit 2025. Masa të ndjekjes penale janë ndërmarrë ndaj 144 autorëve, ndërsa si viktima të veprave penale janë evidentuar 143 persona. Në këtë periudhë, me procedurë të përshpejtuar janë paraqitur gjithsej 18 kallëzime penale, masa e paraburgimit është caktuar për 15 autorë, ndërsa për 48 persona janë shqiptuar masa kujdesi. Kallëzimet penale të paraqitura me procedurë të përshpejtuar, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, shënojnë një rritje prej 800 për qind”, njofton MPB.
Në maj janë regjistruar gjithsej 19 kundërvajtje, më së shpeshti për “sulm fizik” dhe “grindje e bërtitje”, si dhe 499 ankesa, nga të cilat numri më i madh është regjistruar në zonat e SPB Shkup dhe SPB Shtip.