RMV, u prezantua draft Strategjia nacionale dhe Planit aksional kundër krimit kibernetik
Dje u prezantua projekt Strategjia nacionale dhe plani aksional kundër sajber krimit në kuadër të projektit “Mbështetja e BE-së për sundimin e ligjit – Komponenti 2” që u zhvillua në Shkup, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), transmeton Portalb.mk.
“Si asnjëherë më parë, siguria kibernetike sot, e kështu do të jetë edhe në të ardhmen, është një nga prioritetet e padyshimta në veprimin institucional, veçanërisht për institucionet si Ministria e Brendshme”, tha kreu i Byrosë së Sigurisë Publike, Aleksandar Janev.
Duke vlerësuar rëndësinë thelbësore të draft dokumentit, drejtori Janev veçanërisht theksoi dhe falënderoi pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin e ekipit të ekspertëve nga projekti “Përkrahja e BE-së për sundimin e ligjit – Komponenti 2″, si një shembull tjetër praktik i partneritetit dhe mbështetjes që institucionet tona i marrin nga BE-ja.
“Ne jetojmë në një kohë ku teknologjia luan një rol kyç pothuajse në çdo aspekt të jetës. Edhe pse e gjithë kjo ofron mundësi të paprecedentë, në të njëjtën kohë krijon edhe sfida të reja, ku krimi kibernetik është ndër më komplekset dhe më të përhapurit”, theksoi drejtori Janev.
Duke theksuar se pikërisht për këtë arsye “forumi i sotëm jashtëzakonisht kompetent paraqet një hap të rëndësishëm në përpjekjet tona, së bashku me partnerët tanë nga BE, për të krijuar Strategjinë Kombëtare dhe Planin e Veprimit për krimin kibernetik, i cili do të shërbejë si një udhërrëfyes konkret për forcimin e kapaciteteve të vendin tonë kundër këtij kërcënimi gjithnjë në rritje”.
Ndryshe, më 30 gusht, ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, në punëtorinë dyditore në kuadër të projektit “Siguria kibernetike rajonale në Ballkanin Perëndimor – intervenimet për Republikën e Maqedonisë”, paralajmëroi plane ambicioze për forcimin e sigurisë kibernetike në vend.
Në fjalën e tij, ministri Andonovski theksoi sfidat me të cilat përballet vendi dhe shtoi: “Në periudhën e kaluar kemi qenë dëshmitarë të sulmeve të shpeshta kibernetike në infrastrukturën kritike, si në vendin tonë ashtu edhe në rajon. Infrastruktura jonë kritike – sistemet energjetike, furnizimi me ujë, transporti, kujdesi shëndetësor – janë në qendër të funksionimit të vendit tonë. Mbrojtja e tyre është prioriteti ynë kryesor”.
- LEXO: Andonovski: Maqedonia e Veriut po ndërton infrastrukturë gjithëpërfshirëse të sigurisë kibernetike
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut ishte cak i kërcënimeve të rreme me bomba, por jo vetëm kaq. Nga fundi i vitit 2022 e në vazhdim, sulmet kibernetike kanë ndodhur në faqet e institucioneve shtetërore si: Qeveria e RMV-së, Agjencia për Komunikime Elektronike, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, Qeveria, Ministritë e Bujqësisë dhe Arsimit dhe Shkencës, nga ku janë vjedhur të dhënat e qytetarëve dhe në disa raste për ta sulmuesit kërkuan shpërblim në kriptovaluta.
Maqedonia e Veriut pati dhe paralajmërime për sfida, kërcënime dhe rreziqe të mëdha në sektorin e policisë në Maqedoninë e Veriut dhe atë të inteligjencës.
Nga 26 tetori i vitit 2022 në RMV disa herë është denoncuar se në email-adresat e disa shkollave në vend është dërguar kërcënim për vendosje të bombës. Krahas shkollave të mesme dhe fillore, ka pasur edhe raportime anonime për bomba të vendosura edhe në institucione dhe qendra tregtare. Numri më i madh i kërcënimeve të rreme ka ndodhur në shkurt – madje 439, gjegjësisht vetëm në pesë ditë të javës së punës nuk ka pasur kërcënim me bombë. Në nëntor ka pasur 30 kërcënime, në dhjetor 272, kurse më 1 mars të këtij viti është arritur rekordi – madje 120 shkolla dhe institucione të tjera kanë marrë kërcënim të rremë brenda një dite se është vendosur bombë.
Ndërkohë, sistemi i FSSh-së ishte i padisponueshëm nga 7 shkurti, për dy javë të plota.
Sistemi shërben për qytetarët që të mund të kontrollojnë sigurimin e tyre shëndetësor, zgjedhjen e mjekut amë, ndërsa vetë të punonjësit shëndetësor mund të kontrollojnë informacionet për pacientët e tyre dhe shërbimet tjera.