RMV, u hap qendra e parë këshilluese psikologjike për fëmijë dhe adoleshentë
Sot në Institutin e Shëndetit Publik në Shkup qendra e parë këshilluese psikologjike për fëmijë dhe adoleshentë. Qendra këshilluese do të jetë në funksion nga dita e hënë, ndërsa shërbimi do të jetë i qasshëm edhe përmes sistemit “Termini im”, transmeton Portalb.mk.
“Prej sot fillojmë me një qasje të re ndaj shëndetit mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve. Shëndeti mendor nuk guxon të jetë temë që stigmatizohet ose lihet për më vonë. Obligimi ynë është të krijojmë një sistem që zbulon, mbështet dhe ndërhyn në kohë, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijë dhe adoleshentë”, theksoi ministri i shëndetësisë, Azir Aliu.
Njëkohësisht, në Institutin e Shëndetit Publik u prezantuan edhe kapacitetet e reja të laboratorëve mikrobiologjikë, me pajisje të re në vlerë prej 15 milionë denarësh, si dhe me vënien në funksion të pajisjeve shtesë në vlerë prej rreth 11 milionë denarësh, të cilat për vite me radhë nuk ishin përdorur.
Sipas ministrit Aliu, kjo paraqet forcim të sistemit të shëndetit publik, pasi mundëson kapacitet më të madh laboratorik, diagnostikim më modern dhe gatishmëri më të mirë për t’iu përgjigjur sfidave shëndetësore.