RMV, tre të burgosur janë arratisur nga INP “Idrizovë”, policia i ka kapur dhe do të kthehen në burg

Nëpunës policorë nga Ekipi operativ i hetimeve pranë SPB Shkup dhe nga Njësiti për polici intervenuese pranë SPB Shkup sot rreth orës 16:45 i ka privuar nga liria I.J. (36), E.D. (36) dhe M.R.(37), të gjithë nga Studeniçani i Shkupit. Ministria e Punëve të Brendshme informoi se sot rreth orës 9 ata kanë ikur nga Institucioni ndëshkues-përmirësues Burgu “Idrizovë” ku kanë qenë në vuajtje të dënimit me burg, njofton Portalb.

“Pas masave dhe aktiviteteve të ndërmarra, që të tretë janë parë në fshatin Lisiçe e Poshtme me automjet ‘folksvagen golf’ me targa nga Shkupi. Nuk janë ndalur në shenjën për t’u ndalur të dhënë nga nëpunësit policorë dhe kanë vazhduar me lëvizje drejt fshatit Jurumleri, por për kohë të shpejtë janë zënë dhe privuar nga liria, Madje, tek I.J. dhe E.D. janë gjetur dhe u janë marrë dy thika”, kumtoi MPB.

I.J. ka qenë i dënuar me burg të përgjithshëm prej 11 viteve për vepra të kryera penale sipas nenit 215, nenit 418-b dhe nenit 144 nga Kodi Penal, ndërsa për të vuajtur nga dënimi ka pasur edhe pesë vite e tre muaj.

E.D. ka qenë i dënuar me burgim prej shtatë vitesh për vepër të kryer penale sipas nenit 215 nga Kodi Penal, ndërsa për të vuajtur nga dënimi ka pasur edhe 18 muaj.

M.R. ka qenë i dënuar me tetë vite e tre vuaj burgim për vepra të kryera penale sipas nenit 215 dhe neit 418-b nga Kodi Penal, ndërsa për të vuajtur nga dënimi ka pasur edhe tre vjet.

Ata do të dërgohen në institucionin ndëshkues-përmirësues për vuajtje të dënimit.