RMV, shteti, komunat dhe bizneset vitin e kaluar kanë investuar vetëm 5,7 milionë euro për ajër më të pastër (Infografik)

Shumë fjalë, pak vepra. Për ndotjen e ajrit në Maqedoni tashmë flitet me vite të tëra, por rritje të investimeve për cilësi më të madhe të ajrit nuk ka. Dhe kjo nuk vlen vetëm për ajër më të pastër, por edhe për tejkalimin e problemit me menaxhimin e mbeturinave, menaxhimin e ujërave të zeza dhe mbrojtjen e pyjeve, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës tregojnë se shteti së bashku me komunat dhe kompanitë e Maqedonisë, vitin e kaluar kanë investuar vetëm 5,7 milionë euro, në të cilat bëjnë pjesë edhe shpenzimet për mirëmbajtjen e mjeteve për mjedisin jetësor. Për investime për ajër më të pastër në vitin 2022 janë ndarë diku mbi 3,9 milionë euro modeste. Këtu bëjnë pjesë të gjitha investimet që i bëjnë të gjitha institucionet shtetërore, pastaj 80 komunat plus Qyteti i Shkupit, si dhe i gjithë sektori i biznesit.

Njëherit, statistikat tregojnë se ndotja e ajrit është prioriteti numër 4 në pjesën e mjedisit jetësor edhe atë pas menaxhimit me ujërat e zeza, menaxhimit me mbeturinat dhe sistemet qarkulluese të furnizimit me ujë. Për parandalimin e ndotjes së ujërave në vend vitin e kaluar janë ndarë rreth 45,2 milionë euro. Për menaxhimin me mbeturinat janë ndarë rreth 38,1 milionë euro, përfshirë këtu edhe shpenzimet për mirëmbajtjen e mjeteve për mjedisin jetësor.

Këto numra janë shumë më të ulëta se investimet që janë të domosdoshme për projektet kyçe, kështu ndërtimi i stacionit për pastrim në Shkup do të kushtojë rreth 200 milionë euro, ndërsa mjetеt që vitin e kaluar i kemi shpenzuar për menaxhimin me ujërat e zeza janë mbi 4 herë më të vogla se kjo shumë. Pastaj, për ndërtimin e deponisë rajonale për mbeturina për Rajonin lindor dhe verilindor është vlerësuar se do të shpenzohen rreth 40 milionë euro, që është më shumë se e gjithë shuma e vitit të kaluar e ndarë për menaxhimin e mbeturinave në vend.

Raporti vjetor i Entit Shtetëror të Statistikës për vitin e kaluar shënon se për mbrojtjen e tokës, ujërave sipërfaqësorë dhe nëntokësorë në vitin 2022 janë ndarë 1,7 milonë euro. Kjo shumë, për shеmbull, është shumë më e ulët se shuma që është e domosdoshme vetëm për pastrimin e deponisë së vogël me lindan në OHIS, e jo më për të gjitha pikat e nxehta ekologjike në vend.

Edhe për mbrojten e biodiversitetit dhe natyrës vitin e kaluar shuma që Maqedonia e ka dedikuar për këtë qëllim është diçka mbi 1,8 milionë euro. Enti Shtetëror i Statistikës nuk ka të dhëna për vitin 2022 sa i përkеt asaj se sa të mëdha kanë qenë investimet dhe shpenzimet për mbrojtjen e pyjeve, si dhe për gjueti dhe peshkim në vend.

Për faktin se ndahen mjete modeste për mbrojtjen e mjedisit jetësor flasin edhe shumat e përgjithshme për investime dhe shpenzime për mjedisin jetësor që janë ndarë në disa vitet e kaluara për çka Meta.mk tashmë ka shkruar. Kështu, për mjedisin jetësor në vitin 2022 si shtet gjithsej kemi dedikuar 127,2 milionë euro, prej të cilave si investime për mbrojtjen e mjedisit që na rrethon kemi shpenzuar 82,4 milionë euro.

Të dhënat e këtilla për vitin e kaluar nuk shënojnë ndonjë lëvizje nga mesatarja e viteve të kaluara, sepse investimet dhe shpenzimet për mjedisin jetësor që janë ndarë në nivel vjetor midis viteve 2013 dhe 2021 kanë qenë midis 72,4 dhe 182,6 milionë euro.

Përndryshe, autoritetet maqedonase mbetet të investojnë në projekte të mëdha infrastrukturore  në mjedisin jetësor, të cilët duhet të sigurojnë pastrim të ajrit, rritje të cilësisë së ujërave dhe toka më pak të kontaminuara. Në pjesën e menaxhimit me ujërat e zeza, mbeten për tu ndërtuar stacionet e pastrimit nëpër qytetet më të mëdha, siç është Shkupi, Manastiri dhe Tetova.

Në pjesën e menaxhimit të mbeturinave, Maqedonia deri tani nuk ka ndërtuar asnjë deponi rajonale sipas standardeve të Bashkimit Evropian, për çka ditën e hënë në një intervistë diskutoi edhe ministrja e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Kaja Shukova. Problem i madh është edhe zgjidhja e pikave të nxehta ekologjike, ku për momentin pastrim të materieve të hedhura të rrezikshme dhe sanim të terenit kemi vetëm te deponia e vogël me lindan në OHIS.