Intervistë me Ministren Kaja Shukova: Është e turpshme që nuk kemi asnjë deponi me standarde evropiane

Ministrja e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Kaja Shukova, në një intervistë për Meta.mk flet për disa nga çështjet më të rëndësishme për mjedisin jetësor në vendin tonë, që janë trajtimi i mbeturinave dhe ujërave të zeza, proceset e vendosjes së infrastrukturës themelore sipas standardeve evropiane dhe mbi rrjedhën e ndërtimit të deponive rajonale dhe stacionit të pastrimit të ujërave në Shkup, si dhe për sigurimin e ajrit të pastër nëpër qytete, transmeton Portalb.mk.

Përveç investimeve për të ardhmen, me ministren biseduam edhe mbi temën e pikave të nxehta historike dhe mënyrave se si ato të sanohen që të mos paraqesin rrezik për qytetarët dhe për mjedisin jetësor.

Ministre Shukova, pastrimi i njërës nga pikat më të nxehta ekologjike në vend, deponitë me lindan në Ohis është në vijim e sipër. Kur pritet që të përfundojnë punët te deponia e vogël dhe për momentin a janë siguruar mjete për përfundimin e këtij aktiviteti?

Për momentin në deponinë e vogël me Lindan në Ohis po pastrohet loti i tretë. Deri tani janë nxjerrë 1.500 tonelata mbetje të rrezikshme, prej të cilave 1.250 tonelata tashmë janë asgjësuar, ndërsa të tjerat presin të digjen te impianti në Francë. Janë nxjerrë, eksportuar dhe asgjësuar 1.390 tonelata tokë e kontaminuar, ndërsa 200 tonelata do të eksportohen në fillim të tetorit.

Mjetet që i kemi siguruar deri tani janë deri në përfundim të lotit të tretë, i cili duhet të jetë përfunduar deri në nëntor. Është e planifikuar që të sigurohen mjete edhe për metutje, do të nënshkruhet marrëveshje midis UNOPS-it dhe Delegacionit të BE-së në vlerë prej 2.5 milionë eurosh, para të siguruara nga fondet evropiane dhe pjesa më e madhe e tyre do të shfrytëzohen për lotin e katërt. Është e qartë se me këto mjete nuk do të arrijmë plotësisht ta përfundojmë pastrimin e deponisë së vogël, prandaj edhe parashikojmë para edhe në buxhetin e shtetit për vitin 2024, në vlerë prej gjysmë deri në një milion euro. Besoj se me ato mjete do të jemi afër pastrimit të tërësishëm. Për momentin nuk mund ta dimë saktësisht se sa para do të na nevojiten deri në fund, i shqyrtojmë situatat një pas një, që domethënë se ashtu siç sigurojmë mjete, ashtu përparon edhe pastrimi i deponisë së vogël.

Sa u përket afateve doemos duhet të theksohet se gërmimi i lindanit nuk është punë e thjeshtë. Për ne është më me rëndësi që të realizohet me kujdes dhe të bëhet kujdes për sigurinë e njerëzve që punojnë, të njerëzve që jetojnë përreth dhe mjedisit jetësor. Kjo domethënë se punojmë ngadalë, por në pajtim me të gjitha standardet.

Mirëpo, me deponinë e vogël nuk zgjidhet plotësisht kontaminimi historik në OHIS. A ka ndonjë aktivitet konkret rreth pastrimit edhe të deponisë së madhe? Ose eventualisht edhe për deponinë e tretë të zbuluar në lokalitetin Pelenica?

Sa i përket deponisë së madhe ekzistojnë vlerësime se për pastrimin e saj me metodën e njëjtë si të voglën, pra gërmim dhe asgjësim, do të na nevojiten 80 deri 100 milionë euro. Kjo është një shumë e madhe e parave dhe për momentin i shqyrtojmë mundësitë nëse mund të sigurojmë mjete nga Fondi Global Ekologjik ose nga donatorë. Është e qartë se bëhet fjalë për një investim serioz, e dimë se duhet shumë kohë që të sigurohet, e edhe shumë kohë që të pastrohet deponia.

Në lidhje me Pelenicën duhet të bëhet plan për rimediim dhe tani për tani më me rëndësi është që të rrethohet dhe të mos ketë qasje deri te deponia. Gjithsesi, Ohisi është në fokusin tonë, sepse është rajon i banuar.

Lista me pikat e nxehta historike nuk përfundon këtu. Çfarë planesh ka shteti dhe Ministria për të gjitha të tjerat?

Është e vërtetë, kemi edhe shumë pika të nxehta industriale të tjera në vend. Biseduam dhe kryem studime që të shohim nëse mund të revitalizohen aty ku janë, të mos ketë gërmim dhe largim të mbetjeve, sepse e shohim se ky princip kushton shumë para, ndërsa ka mundësi të stabilizohen aty ku janë. Për shembull, deponia në Jugohrom. Unë jam teknologe dhe personalisht mendoj se shumë më mirë është të mblidhet rrjedhja, të rrethohet dhe të mbulohet. Edhe kjo deponi dhe të tjerat janë aty me vite, është e qartë se tashmë kanë pasur ndikim ndaj mjedisit jetësor, ajo që është me rëndësi tani është që një gjë e tillë të mos vazhdojë.

Shteti nuk ka para të mjaftueshme për t’i zgjidhur të gjitha pikat e nxehta historike, ndërsa edhe donatorët na thonë se ato janë obligim i joni. Donatorët duan të investojnë në zhvillimin e shtetit, si për shembull në infrastrukturën e mbeturinave, të ujit të pijshëm ose trajtimit të ujërave të zeza. Një pjesë e projekteve kapitale nga viti 2023 vazhdojnë edhe në vitin 2024, sepse një pjesë e madhe e qytetarëve në vend ende nuk kanë sisteme ujësjellësi, ndërsa punojmë edhe në grumbullimin dhe trajtimin e ujërave të zeza.

Nga Ministria e mjedisit jetësor u njoftua për një tender për rrethimin e deponisë me arsen në rrethinën e minierës “Llojan”, i cili duhet të realizohet si aktivitet ketë vit. Deri ku është realizimi i këtij projekti?

Sa i përket zgjidhjes së problemit me deponinë me arsen tashmë patëm një përpjekje për përzgjedhjen e një koncesionari, por procedura e tenderimit ishte e pasuksesshme. Tani ripërpunohet dokumentacioni teknik, sepse bëhet fjalë për terren specifik dhe duhet të krijohen kushte më të mira gjatë përzgjedhjes së koncesionarit. Pasi të përfundojë përsëri do të shpallet tenderi.

Deponia në Bërvenicë, foto nga Qendra për Menaxhimin me Kriza (Facebook)
Deponia në Bërvenicë, foto nga Qendra për Menaxhimin me Kriza (Facebook)

Kur jemi te pikat e nxehta ekologjike, Komuna e Probishtipit njoftoi se hidrodeponia e vjetër e minierës Zletovo do të sanohet dhe do të ndërtohet një central fotovoltaik në këtë lokacion. Me çfarë informatash disponon ministria juaj në lidhje me këtë projekt që planifikohet të realizohet nga pushteti lokal? Në çfarë mënyre do të mund të ndihmoni?

Jam e informuar se Komuna e Probishtipit është seriozisht e interesuar për këtë projekt dhe se po punon me investitorët. Procesi është në vijim e sipër, ndërsa Ministria merr pjesë vetëm në procedurat administrative. Do të ndihmojmë me atë që është në fushëveprimin tonë, që të implementohen procedurat shpejt dhe vazhdimisht jemi në komunikim me Komunën. Janë seriozë dhe me të vërtetë shpresoj se do të kenë sukses.

Në rastin me pastrimin e zgjyrës nga Shkritorja në Veles nuk ka lëvizje tashmë katër vite, prej kur është dhënë koncesioni. Çfarë mund të bëjë Ministria në këtë rast që kjo pikë e nxehtë të pastrohet në afat sa më të shkurtër?

Derisa ka koncesion të vlefshëm presim që koncesionari të punojë dhe ta sanojë hapësirën. Kjo është edhe një nga pikat e nxehta për të cilat nevojiten mjete serioze financiare, të cilat nuk gjenden në buxhetin e shtetit. Vlerësimet janë se për sanimin e secilës nga pikat historike nevojiten 20 deri në 50 milionë euro, ndërsa për OHIS-in edhe më shumë. Për këtë shkak edhe thashë, më së miri është të konsiderohen zgjidhje për stabilizim në vendndodhje, që të evitohet ndikimi i mëtutjeshëm mbi mjedisin jetësor dhe ndotja.

Çfarë po ndodh me ndërtimin e lajmëruar të deponisë së ardhshme rajonale, e cila sipas standardeve të BE-së duhet të ndërtohet në fshatin Meçkuevci të Ovçe Poles, Komuna e Sveti Nikoles? A u zgjidh problemi me pushtetin lokal rreth lokacionit të deponisë dhe kur mund të presim shpallje të tenderit ndërkombëtar për këtë projekt për rajonin Lindor dhe Verilindor?

Po, është zgjidhur problemi, për fat të keq duke përdorur masë jopopullore të marrjes së kompetencave për menaxhim rajonal. Kompetencat për menaxhim lokal dhe punë të ndërmarrjes lokale publike mbeten, që domethënë se ato do t’i menaxhojnë mbeturinat prej të amvisëritë deri te stacionet e ngarkimit. Problemi u paraqit në lidhje me menaxhimin e mbeturinave nga stacionet e ngarkimit deri te deponia rajonale, që do ta ndërmarrë trupi rajonal. Komuna e Sveti Nikoles refuzoi të marrë pjesë në trupin rajonal, e si pasojë iu morën kompetencat dhe u nominuan persona që i zëvendësuan përfaqësuesit e komunës. Sa i përket tenderit për ndërtimin e stacioneve të ngarkimit dhe deponisë qendrore, ai është në përgatitje e sipër, e më se voni deri në fund të këtij viti do të shpallet. Do të jetë ndërkombëtar dhe do të financohet me mjete nga IPA fondet.

A ka ndonjë vështirësi me autoritetet komunale nga tre rajonet e tjera ku duhet të ndërtohen deponitë rajonale sipas standardeve të BE-së – komunat e Gostivarit, Novacit dhe Vasilevës nëpërmjet një huaje të siguruar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim? Si vijon procedura për ndërtimin e këtyre deponive rajonale, cilat aktivitete po realizohen për momentin?

Për deponinë “Rusino” në Gostivar një pjesë e mjeteve u siguruan dhe u implementuan nëpërmjet qeverisë së Zvicrës. Vazhdojmë të punojmë në rehabilitimin e “Rusinos”, që të mund të punojë të paktën edhe pesë vite, e ndërkohë do të kërkojmë lokacion të ri në Pollog. Tani kemi hua të re nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim prej 55 milionë eurosh, ku Qeveria e Zvicrës përsëri merr pjesë me grant prej nëntë milionë frangash zvicerane. Risi është se filluam t’i shfrytëzojmë paratë nga mekanizmi WBIF, grant mjete nga BE-ja që mund të shfrytëzohen së bashku me huanë. Shteti aplikoi për herë të parë dhe fitoi mundësi 22,5 milionë nga mjetet të jenë grant, që domethënë se do të ngarkohet vetëm deri në 22,5 milionë euro.

Arritëm të marrim edhe dy milionë euro për përgatitjen e dokumentacionit për rajonin Juglindor dhe atë të Vardarit, për deponinë në Vasilevë, ndërsa në vijim e sipër është tenderi për përzgjedhjen e kompanisë për përgatitjen e dokumentacionit. Për rajonin jugperëndimor dhe Pellagoninë dhe deponinë në Novaci ka dokumentacion të përgatitur dhe po përgatitet prokurim publik që të blihen kosha, kontejnerë dhe automjete për të dy rajonet. Paralelisht përgatitet edhe dokumentacion për stacionet e ngarkimit dhe deponinë rajonale, që domethënë se jemi duke punuar në më shumë fusha edhe pse për fat të keq vendi jonë nuk ka asnjë deponi standarde. Është e turpshme që nuk kemi infrastrukturë themelore për menaxhimin e mbeturinave sipas standardeve evropiane. Por, jemi duke punuar dhe do ta bëjmë infrastrukturën. Presim që nëse ka sukses tenderi për Sveti Nikole, deponia e parë rajonale të fillojë me punë në vitin 2024.

Qytetarët reagojnë se deponia në fshatin Nikushtak të Likovës po digjet dhe e ndot ajrin. Çfarë planesh ka Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në lidhje me këtë deponi të egër në të ardhmen?

Shteti ka mbi një mijë deponi të egra që i krijojnë vetë qytetarët. Kemi financuar shumë për pastrimin e tyre në vitet e kaluara, por e vërejmë se për kohë të shkurtër përsëri janë të mbushura. Vazhdimisht apelojmë deri te qytetarët, e duhet patjetër të fillojmë që të sillemi ndryshe. As komunat nuk mund të arrijnë, e as shteti t’i ndihmojë, sepse e shohim se është e kotë. Shpenzojmë para për pastrim, ndërsa qytetarët përsëri i mbushin.

Nuk e di se çfarë apeli duhet të bëjmë që të ndalojë kjo shprehi. Sqarimi është se shërbimi për ngritjen e mbetjeve ndërtimore dhe mbeturinave nga amvisëritë është i kushtueshëm, por mendoj se nuk është i paarritshëm. Sigurisht që kushton para, një kamion është dy deri në tre mijë denarë, por nevoja për këtë shërbim është shumë e rrallë, nëpër shtëpi bëhen rinovime një herë në dhjetë ose 15 vite. Duhet të mësohemi që të paguajmë për shëbimet për mbeturina.

Deponia me mbetje ndërtimore nën stadiumin e vjetër të Tetovës dhe mbi Kazermën. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Deponia me mbetje ndërtimore nën stadiumin e vjetër të Tetovës dhe mbi Kazermën. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Edhe çmimet për mbeturinat komunale për momentin janë minimale dhe llogariten sipas metrave katrorë. Në kuadër të huasë nga EBOR-i do të bëjmë një metodologji të re me të cilën çmimi do të llogaritet sipas sasisë së prodhuar të mbeturinave. Vetëm kështu do t’i ulim sasitë e mbeturinave dhe vetëm kështu do t’i detyrojmë qytetarët të selektojnë. Për këtë arsye do të bëjmë ndryshim të Programit për mbeturina dhe komunave do t’u japim kosha dhe kontejnerë për paraselektim të mbeturinave.

Tenderi për stacionin e pastrimit në Shkup përfundoi dhe u zgjodh realizuesi. Kur do të fillojë ndërtimi dhe cilat aktivitete po zhvillohen për momentin në lidhje me realizimin e këtij projekti? Si është bashkëpunimi midis NP “Ujësjellës dhe Kanalizim” dhe autoriteteve të qytetit në lidhje me këtë projekt?

Duhet të përfundohen edhe dy aktivitete që të mund të fillojë ndërtimi i stacionit të pastrimit. Bëhet fjalë për ekspropriimin e tokës dhe planifikimin urban dhe këto të dyja duhet të përfundohen nga Qyteti i Shkupit. Afati tashmë është tejkaluar dhe duhej të ishin përfunduar, dhe të fillojë ndërtimi.

Për momentin nuk kemi komunikim direkt me Qytetin e Shkupit, por vetëm nëpërmjet grupit punues. Unë tashmë bëra apel deri te Qyteti dhe “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” që të jenë më aktivë në këtë proces, sepse këto dy aktivitete janë kusht që Ministria të marrë leje nga bankat që të paguajë vlerën avanse ndaj “Ujësjellësit”, e prej te ato deri te realizuesi i projektit.

Shpresoj se këto obligime do të përfundojnë sa më shpejt që të mund të fillojmë. Nuk do të lejojmë që procesi të ndalojë, e aq më pak të dështojë. Do të presim edhe një ose dy muaj dhe do të shohim se çka më tej. Bëhet fjalë për projekt me vlerë prej 200 milionë eurosh, prej të cilave 70 milionë janë grant.

A e morët raportin pas misionit të ekspertëve të Konventës së Bernit dhe Ramsarit dhe UNESKO-s që u realizua këtë pranverë në Ohër në lidhje me statusin e cenuar të trashëgimisë kulturore dhe natyrore në rajon?

E morëm dhe nuk është negativ, mbetet statusi i Rajonit të Ohrit si trashëgimi e mbrojtur kulturore dhe natyrore e UNESKO-s. Së bashku me ministren e kulturës dhe një delegacion më shumë anëtarësh javën e ardhshme shkojmë në Rijad që të japim raport mbi statusin e aktiviteteve që shteti dhe pushtetet lokale i ndërmarrin që të plotësohen kërkesat nga raportet e mëpаrshme të UNESKO-s.

Në raportin e fundit nuk ka kërkesа të reja, mbeten të njëjtat qe janë të përcaktuara deri tani. Sa u përket kërkesave në pjesën e mjedisit jetësor, posaçërisht në lidhje me rregullativën ligjore, punojmë dhe i zbatojmë dhe kemi afate të përcaktuara qartë që t’i përgatisim dokumentet që duhet t’i vendosin masat dhe aktivitetet për më tej.

Si Ministri e Mjedisit Jetësor, çfarë masash planifikoni të ndërmerrni në sezonin e ardhshëm të ngrohjes në lidhje me uljen e ndotjes së ajrit në Shkup dhe në qytetet e tjera më të mëdha në vend?

Apelojmë deri te institucionet kompetente që t’i realizojnë aktivitetet në Planin e uljes së ndotjes së ajrit. Ministria krijon politika dhe i ndihmon financiarisht. Ja edhe tani siguruam donacion financiar prej 10 milionë eurosh për katër komuna, Shkup, Kumanovë, Manastir dhe Tetovë të cilat janë ndër më të ndoturat në vend. Pjesa më e madhe e mjeteve janë për ndërrimin e sistemeve të ngrohjes nëpër objektet publike të komunave, për prokurim të gjashtë autobusëve ekologjikë për Shkupin dhe për gjelbërimin e sipërfaqeve në të gjitha komunat, për çka do të punohet me ekspertët nga Fakulteti i pylltarisë mbi atë se çfarë fidanesh do të jenë më të përshtatshme për mjediset urbane.

Disa nga komunat kërkuan mjete për vendosjen e sistemeve lokale për monitorimin automatik të gjendjes së cilësisë së ajrit, edhe pse Ne në Ministri konsiderojmë se në sistemin e monitorimit shtetëror mungon vetëm një stacion në Shtip. Për atë janë paraparë mjete në buxhetin e vitit 2024 dhe pasi ta vendosim, në pajtim me direktivat dhe aglomeracionin e shtetit do të kemi monitorim solid të cilësisë së ajrit. Mirëmbajtja e stacioneve matëse nuk është e thjeshtë dhe e lirë dhe komunat duhet të kenë kapacitete që të mirëmbajnë rrjete lokale. Është e qartë se kanë dëshirë që të kenë rrjetet e tyre, por është me të vërtetë e vështirë për mirëmbajtje.

Mendoj se më shumë duhet të përqëndrohemi te ndërrimi i sistemeve joekologjike, komunat të intervenojnë që gjelbërimi përveç në objektet publike të bëhet edhe te amvisëritë, edhe pse e dimë se edhe me të gjitha këto masa luginat përsëri do të jenë me ajër të ndotur për shkak të kushteve natyrore.

I ndjekim përvojat nga shtetet e tjera që janë marrë me probleme të ngjashme dhe asnjë proces nuk ka përfunduar për më pak se dhjetë – pesëmbëdhjetë vite. Duhet vazhdimisht të investohet, qytetarët dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme duhet të ndalojnë së djeguri vajra, goma, plastikë dhe të heqim dorë nga të gjitha praktikat e këqija.