RMV, shporta minimale sindikale në maj ka arritur pothuajse në 50.000 denarë

Në muajin maj të këtij viti, një familje katër anëtarëshe në vend për të plotësuar shportën minimale sindikale i nevojiteshin 49.025 denarë, njoftuan nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM), transmeton Portalb.mk.

Nga këto mjete, 19.532 denarë ose 44,34 për qind ishin të nevojshme për ushqim dhe pije; 13,392 ose 30,41 për qind për banim; 3.196 denarë për higjienë; 3720 për transport; 2,315 për veshje dhe këpucë; 1.067 për kulturë dhe 821 denarë për ruajtjen e shëndetit, ose gjithsej 44.047,52 denarë.

“Kur shtohen 4.977,37 denarë ose 11,3 për qind për koston e jetesës, gjegjësisht inflacionin, arrin në 49.024,89 denarë”, thonë nga LSM.

Për krahasim, vlera e shportës minimale sindikale për maj 2022 ishte 38.791 denarë, që është mbi 10.000 denarë më pak se në maj të këtij viti.