RMV, për rreth dy muaj pritet të përfundojë rikonstruimi i Aeropotit të Ohrit
Drejt përfundimit rikonstruimi dhe zgjerimi i Aeroportit “Shën Apostull Pali” në Ohër. Zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit Aleksandar Nikolloski, i cili sot ishte në inspektim të punimeve ndërtimore, tha se mbi 65 përqind e projektit për rikonstruim të Aeroportit të Ohrit janë përfunduar. Më e rëndësishmja, sipas tij, është që gjatë procesit puna në aeroport po zhvillohet pa pengesa, njofton Portalb.mk.
“Rikonstruimi dhe sendërtimi është diçka që i nevojitej një kohë më e gjatë Aeroportit të Ohrit dhe ja tani përfundimist po ndodh. Për rreth dy muaj aeroporti do të duket tërësisht i ri, me pjesë të zgjeruara për vajtje dhe ardhje, që do të sjellë stimul shtesë ekonomik”, theksoi Nikolloski, duke shtuar se modernizimi i aeroportit në Ohër është i pari që nga ndërtimi i tij dhe duhet të mundësojë rritje të kapacitetit të pasagjerëve dhe numrit të linjave të reja ajrore.
Ministri i Transportit informoi se me projektin është paraparë që të sigurohen 4.500 metra katrorë hapësirë funksionale për përvojë më efikase dhe më të këndshme për pasagjerët, si dhe kushte më të mira për punë për personelin, policinë dhe drejtorinë doganore.
Drejtori i “TAV Maqedoni”, Nexhat Kurt theksoi se projekti për rikonstruimin e aeroportit në Ohër kushton 2,7 milionë euro. Sipas pritjeve të tij, modernizimi i aeroportit, së bashku me zgjerimin e rrjetit të linjave direkte, do të kontribuojë për pozicionim të mëtejshëm në rajonin e Ohrit dhe Maqedonisë si një nga destinacionet turistike më atraktive dhe më qasëse në Evropë.
Duke u përqëndruar në rezultatet në trafikun ajror, ministri i Transportit informoi se në periudhë janar-maj sivjet është shënuar rritje prej 31,2 përqind të numrit të pasagjerëve në krahasim me të njëjtën periudhë vjet. Me trendin e këtillë, sipas Nikolloskit, numri i pasagjerëve sivjet pritet të arrijë deri në 3,5 milionë.
Rikonstruimi i Aeroportit të Ohrit, i cili është ndërtuar në vitin 1952, filloi në mars të këtij viti.