Filloi rinovimi i Aeroportit të Ohrit, pritet të përfundojë në korrik
Ka filluar të rinovohet dhe zgjerohet aeroporti “Shën Apostull Pali” në Ohër, ndërsa është paraparë që të jetë gati në muajin korrik, transmeton Portalb.mk.
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski tha se projekti duhet të sjellë 4.500 metra katrorë hapësirë funksionale, që është rreth 2.500 më shumë se ekzistuesja.
“Investimi është në disa faza, njëra është kjo që po shihet, por ka edhe të tjera, dytësore. Shpresoj që në korrik të mund t’ju ftojmë këtu në një hapje solemne”, tha Nikolloski.
Drejtori i përgjithshëm i TAV Maqedoni, Nexhat Kurt, tha se gjatë aktiviteteve ndërtimore do të vazhdojë funksionimi normal i aeroportit.
“TAV investon 2,7 milionë euro në disa përmirësime kyçe të aeroportit: zgjerimin e kapacitetit operativ të terminalit të udhëtarëve dhe të sporteleve për regjistrimin e bagazhit dhe pasagjerëve, zgjerimin e zonës së kontrollit të sigurisë, do të zgjerohet ndërtesa administrative, do të ndërtohet restorant i ri, zyra të reja për Policinë Kufitare dhe Drejtorinë Doganore, si dhe parkim për punonjësit”, tha Kurt.

Kryeministri Hristijan Mickoski tha se në dy muajt e parë të këtij viti në Aeroportin e Ohrit ka rritje rreth 20 përqind të udhëtarëve.
“Po bisedojmë me një numër të madh tur-operatorësh që duhet të sjellin në mënyrë të organizuar turistë në bregdetin e Ohrit, ndërsa me njërin jemi para nënshkrimit të marrëveshjes, e cila jashtë sezonit do të sjellë rreth gjysmë milioni net qëndrimi”, tha Mickoski.
Ndryshe, siç u tha sot gjatë promovimit të ngjarjes, rinovimi bëhet për herë të parë që nga ndërtimi i aeroportit në vitin 1952.