RMV, pa marrëveshje përfundoi takimi i dytë ndërmjet Qeverisë dhe Sindikatës së AOGJSH-së

Pa marrëveshje përfundoi takimi i dytë ndërmjet Sindikatës së AOGJSH-së dhe Qeverisë për kërkesat e të punësuarve në shërbimin gjyqësor dhe prokurorial, raporton MIA. Deri të premten apo javën e ardhshme duhet të mbahet edhe një takim.

Në takimin e sotëm, siç deklaroi kryetari i Sindikatës së AOGJSH-së Tërpe Deanovski, nuk kanë marrë ndonjë propozim konkret nga Qeveria.

“Ka vullnet. Qeveria mendon se do të gjendet një zgjidhje për këtë problem megjithatë ofertë konkrete nuk ka. Negociatat do të vazhdojnë një ose dy herë të tjera. Dero të premten duhet të finalizohet Buxheti për vitin e ardhshëm në mënyrë që edhe ne të marrim të dhëna më konkrete se çfarë dhe si planifikon Qeveria lidhur me kërkesat tona”, tha Deanoski pas takimit.

Nga Sindikata e AOGJSH-së shpresojnë se do të gjendet ndonjë, siç thonë, një mes i artë, rreth kërkesave të tyre.

Pas protestave disajavore të të punësuarve në administratën gjyqësore, javën e kaluar Sindikata e AOGJSH-së  dhe Qeveria u ulën për bisedime me qëllim që të gjejnë një zgjidhje të pranueshme të përbashkët për kërkesat e tyre për rritje të pagave për 78 për qind dhe pagesën e shtesave të pagave.

Punonjësit e prokurorive shprehen të pakënaqur me të ardhurat mujore dhe kërkojnë rritje 78 për qind të pagave dhe kthimin e 35 për qind të shtesave në paga.

Më 3 shtator, në një mbledhje, qeveria mori vendim që në shtatë ditët e ardhshme të formohet një grup pune, i cili do të punojë për gjetjen e një zgjidhjeje në lidhje me kërkesat dhe situatat e parashtruara nga gjykata, prokuroria publike dhe punonjësit e organet e administratës shtetërore.

Ky vendim është propozim i Ministrisë së Drejtësisë, pasi ministri Krenar Lloga në bisedime me Sindikatat e SPAAGjSh-it janë pajtuar që të gjendet një zgjidhje e përbashkët, në mënyrë që të mos pengohet procesi i zhvendosjes së lëndëve në gjykata dhe prokurori publike.

Në grupin e punës do të jenë ministrat e drejtësisë, financave dhe shoqërisë së informacionit dhe administratës, zëvendëskryeministri përgjegjës për çështjet ekonomike, koordinimin e dikastereve ekonomike dhe investimeve, si dhe përfaqësues nga Sindikata e SPAAGjSh-it.

Megjithatë asgjë deri më tani nuk ka dalë në dritë nga ky grup pune.