RMV, të punësuarit në prokurori nuk do të punojnë as për raste urgjente nëse Qeveria nuk ulet të negociojë

Punonjësit e prokurorive publike tashmë po protestojnë prej 17 ditësh, ndërsa kryetari i Sindikatës së  SPAAGjSh-it, Tërpe Deanoski, në protestën e sotme paralajmëroi se nëse sot grupi punues prej pesë ministrave nuk ulet të negociojë, greva prej nesër do të bëhet rigoroze, transmeton Portalb.mk.

Deanoski bëri të ditur se nëse deri më tani janë bërë vetëm punë urgjente, nga nesër nuk do të punohet asgjë.

“Nga gjithsej 390 punonjës në Prokuroritë Publike, 300 punonjës do të vijnë sot këtu. Nëse kjo nuk është dëshmi e mjaftueshme për seriozitetin, nuk e di se çfarë mesazhi tjetër duhet të dërgojmë”, tha Deanoski.

Ai shtoi se gjyqësori do të paralizohet plotësisht nëse grupi i punës i qeverisë nuk ulet dhe nuk negocion kërkesat e tyre dhe nuk mund të kuptojë pse qeveria këmbëngul që t’u fshihet paga minimale si element bazë i pagave.

“Kjo do të thotë se në mars 2024, kur rritet paga minimale, asnjë nga këta punonjës nuk do të marrë rregullim. Projeksioni është që paga minimale të rritet për 3 deri në 4 mijë denarë, që do të krijojë një tjetër kaos në gjykata, administratë dhe prokurori”, vlerëson kryetari i Sindikatës së SPAAGjSh-it.

Punonjësit e prokurorive shprehen të pakënaqur me të ardhurat mujore dhe kërkojnë rritje 78 për qind të pagave dhe kthimin e 35 për qind të shtesave në paga.

Më 3 shtator, në një mbledhje, qeveria mori vendim që në shtatë ditët e ardhshme të formohet një grup pune, i cili do të punojë për gjetjen e një zgjidhjeje në lidhje me kërkesat dhe situatat e parashtruara nga gjykata, prokuroria publike dhe punonjësit e organet e administratës shtetërore.

Ky vendim është propozim i Ministrisë së Drejtësisë, pasi ministri Krenar Lloga në bisedime me Sindikatat e SPAAGjSh-it janë pajtuar që të gjendet një zgjidhje e përbashkët, në mënyrë që të mos pengohet procesi i zhvendosjes së lëndëve në gjykata dhe prokurori publike.

Në grupin e punës do të jenë ministrat e drejtësisë, financave dhe shoqërisë së informacionit dhe administratës, zëvendëskryeministri përgjegjës për çështjet ekonomike, koordinimin e dikastereve ekonomike dhe investimeve, si dhe përfaqësues nga Sindikata e SPAAGjSh-it.

Megjithatë asgjë deri më tani nuk ka dalë në dritë nga ky grup pune.