RMV, një helikopter dhe dy “airtractors” nga Turqia iu bashkuan përpjekjes për shuarjen e zjarreve

Një helikopter dhe dy “airtraktorë” nga Republika e Turqisë kanë mbërritur mëngjesin e sotëm në vend dhe po i bashkohen luftës kundër zjarreve, njoftoi sot në mëngjes drejtori i QMK-së, Stojançe Angelov. Helikopteri dhe dy “airtraktorët” zbarkuan në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit mëngjesin e sotëm dhe nga atje do të drejtohen drejt disa prej zjarreve aktive, transmeton Portalb.mk..

Dy “airtraktorët” turq, së bashku me dy “airtraktorët” e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSh) do t’i bashkohen fikjes së zjarrit në komunën e Novosellës në afërsi të kufirit me Bullgarinë në malin Ograzhden, ndërsa helikopteri i dërguar nga Turqia do t’i bashkohet helikopterëve të policisë dhe ushtrisë që aktualisht i përgjigjen zjarrit në malin Serta.

Fokusi gjatë ditës, siç thotë Angelov, do të jetë në këto dy zjarre.

“Forca të konsiderueshme janë duke u shuar nga terreni, kemi një numër më të madh të zjarrfikësve nga Njësitë Territoriale të Zjarrfikjes vendore, të cilëve u vijnë në ndihmë anëtarë të shoqërisë së gjuetisë, ndërmarrjeve publike nga këto dy komuna dhe një numër i caktuar i banorëve lokalë. Në të njëjtën kohë, përveç shuarjes së zjarrit nga ajri, po tentojmë të depërtojmë nëpër rrugë për të dërguar zjarrfikës në disa vende me automjete”, thotë Angelov.

Megjithatë, ai tregon se bëhet fjalë për një terren jashtëzakonisht të vështirë të prerë nga përrenj, terren shkëmbor dhe kodrinor me bimësi të harlisur, gjemba, shkurre, bimë me kërcell të ulët, por edhe pyll, gjë që siç thotë ai e vështirëson jashtëzakonisht shumë lëvizjen e zjarrfikësve për të ardhur dhe për të ndërhyrë në pikat e zjarrit.

“Gjatë ditës së djeshme falë pjesëtarëve të Ushtrisë arritëm të shuanim disa pika kritike, ku ndihmuan edhe pjesëtarët e MPB-së nga Njësia e Shpejtë. Sot kemi 103 pjesëtarë të Ushtrisë, si dhe 30 të MPB-së, të cilët do të kontribuojnë në kontrollin e këtij zjarri dhe po shqyrtojmë dhe biem dakord për ndihmën shtesë ndërkombëtare në avion”, shton kreu i QMK-së.

Kryeministri Hristijan Mickoski dje në Facebook njoftoi se së shpejti do të mbërrijë ndihma nga Sllovenia, Serbia, Turqia dhe Mali i Zi në luftimin e zjarreve

“Ne po luftojmë zjarret për shkak të valës së të nxehtit. Jemi në komunikim intensiv me disa vende mike nga të cilat kemi kërkuar ndihmë në kuadër të mundësive të tyre zjarrfikëse. Së shpejti do të vijë ndihma nga Sllovenia, Turqia, Serbia dhe Mali i Zi”, ka shkruar Mickoski në Facebook.

Ai përkujtoi se ministrat e mbrojtjes, punëve të brendshme dhe të jashtme dhe tregtisë – Misajlovski, Toshkovski, Mucunski, si dhe drejtori i QMK-së, Stojançe Angelov, janë në komunikim intensiv me kolegët e tyre nga këto vende.

“Vetëm në pak ditë, pas shumë vitesh neglizhencë dhe pakujdesi dhe gjendje të konstatuar të avionëve pa pilotë, kemi pajisur aeroplanë që janë bashkuar në shuarjen e zjarreve dhe personel adekuat. Ushtria dhe policia u bashkuan. Tani ofrojmë mbështetje edhe nga miqtë. Ne nuk do të rrimë duarkryq dhe do të bëjmë gjithçka që kemi në fuqi dhe autoritet për të përballuar situatën”, thotë ai.

LSDM-ja opozitare dje ka akuzuar se reagimi i pushtetit, por edhe i Qeverisë për t’u marrë me zjarret në Negotinë ka qenë i vonuar dhe i parakohshëm.

Kujtojmë se dje u shpall gjendje e krizës 30-ditore në Maqedoninë e Veriut, pasi Qeveria e Maqedonisë së Veriut i vlerësoi serioze kërcënimet që vijnë nga zjarret aktive në vend.

“Vendim për gjendje krize për shkak zjarrit në kohëzgjatje prej 30 ditëve. Si rezultat i valës së të nxehtit dhe gjendjes me zjarret, Qeveria mori disa vendime”, njoftoi Qeveria.

Në këtë periudhë, Policia e Maqedonisë së Veriut duhet të angazhojë punonjës të policisë që do të marrin pjesë në shuarjen e zjarreve. Në gjendje gatishmërie duhet të jenë edhe punonjësit shëndetësor. Në bazë të nevojës, Ministria e Financave duhet të sigurojë mjete shtesë financiare në këtë drejtim.

Qeveria ka kërkuar nga Ministria e bujqësisë, pylltarisë dhe ujërave dhe Ndërmarrja Publike “Pyjet shtetërore” që të vlerësojnë nëse është nevoja që të ndërpritet qarkullimi i njerëzve nëpër disa pyje.