RMV, ndërroi jetë një 78 vjeçar nga ethet e Nilit Perëndimor
Një shtatëdhjetë e tetë vjeçar nga komuna Çeshinovë-Obleshevë ka ndërruar jetë më 16 shtator për shkak të komplikimeve nga ethet e Nilit Perëndimor, thuhet në raportin e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), transmeton Portalb.mk.
Këtë vit është rasti i katërt i regjistruar i etheve të Nilit Perëndimor në vend, virus nga i cili njerëzit zakonisht infektohen pasi pickohen nga një mushkonjë e infektuar.
“Rasti i parë këtë vit është importuar dhe është regjistruar në muajin prill te një banor i Komunës së Vasilevës, ndërsa rasti i dytë është importuar në korrik nga një banor i Koçanit. Rasti i tretë është autokton dhe është konfirmuar në gusht te një banor i Tetovës”, thuhet në raportin e ISHP-së.
Për rastin e katërt me ethet e Nilit Perëndimor, ISHP bën të ditur se Departamenti i Sëmundjeve Infektive është njoftuar më 12 shtator të këtij viti.
“Simptomat e para të pacientit filluan më 9 shtator me ulje të oreksit, plogështi dhe rritje të temperaturës deri në 39 gradë. Të nesërmen, për shkak të ankthit, agresivitetit dhe humbjes së vetëdijes, pacienti nga Koçani është dërguar në spitalin e Shtipit. Për shkak të gjendjes së rëndë të pacientit dhe encefalitit të diagnostikuar, të njëjtën ditë është dërguar në Klinikën për Sëmundje Infektive në Shkup, ku është konstatuar sëmundja ethet e Nilit Perëndimor”, thuhet në raport.
Siç bëjnë të ditur ISHP, pacienti ka ndërruar jetë në Klinikën Infektive më 16 shtator, pasi gjendja e tij është përkeqësuar dhe i është vendosur maskë oksigjeni.
Sipas raportit të ISHP-së, nga analizat e marra nga epidemiologu nga Koçani në një bisedë me fëmijët e të ndjerit nga ethet e Nilit Perëndimor, pacienti është pensionist i cili jetonte në një shtëpi në fshatin Oblesevë.
“Gjatë periudhës së inkubacionit, ai nuk ka udhëtuar jashtë vendit dhe as jashtë vendbanimit të tij. Nuk ka persona të tjerë nga familja me simptoma të ngjashme”, tha ISHP.
Në rajonin e komunës së Koçanit është vërejtur prania e mushkonjave, për këtë arsye janë kryer spërkatje dhe dezinfektim.
Në komunën Çeshinovë-Obleshevë, përkundër procedurës së paraparë të tenderimit, deri më tani nuk janë kryer asnjë aktivitet dezinfektues.