RMV, Ministria njoftoi që procesi i aplikimit për mbështetjen financiare të nxënësve dhe studentëve është thjeshtëzuar

Ministria për Arsim dhe Shkencë këtë javë ka publikuar thirrjen për qytetarët që të fitojnë mbështetje financiare për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, në rast se prindërit e tyre së bashku nuk kanë të ardhura mujore mbi 50 mijë denarë, transmeton Portalb.mk.

Pas problemeve të mëdha që janë paraqitur gjatë aplikimit nga prindërit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës njoftoi për thjeshtëzimin e procedurës gjatë aplikimit.

“Gjatë krijimit të masave jemi përkujdesur që procesi i aplikimit të jetë i thjeshtë. Megjithatë, me qëllim që të përmbushën kërkesat e aplikantëve potencial, procesi u thjeshtëzua akoma më shumë”, njoftoi Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

“Prindërit/kujdestarët që nuk janë të punësuar, nuk janë të detyruar të dorëzojnë vërtetim  nga Agjencia e Punësimit, por duhet të dorëzojnë certifikatën  e të gjitha llogarive personale të transaksionit për muajin paraprak si dëshmi se nuk ka të ardhura në bazë të rrogës”, sqaroi Ministria.

Ministria theksoi që në rastin kur prindërit nuk janë të martuar ose fëmijët janë nga bashkimet jashtëmartesore, deklaratën e nënshkruan vetëm njëri prind.

“Për sa i përket aplikimit të studentëve për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve të transportit, pyetja më e shpeshtë është ajo që konsiderohet si dëshmi e shumës së biletës mujore për transportin e qytetit nga vendbanimi  deri në vendin e studimit, ju informojmë se aplikantët duhet të dorëzojnë foto të një bilete mujore ose llogari fiskale, si dhe një “print screen” nga çmimet e publikuara në uebsajtin e transportuesit”, sqaroi Ministria.

Ndryshe, Ministria për Arsim dhe Shkencë në Maqedoninë e Veriut ka publikuar Thirrjen publike që mundëson nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të marrin mbështetje financiare nëse familjarët e tyre marrin të hyra mujore deri 50 mijë denarë. Nxënësit e shkollave fillore do të marrin 1200 denarë, ndërsa nxënësit e shkollave të mesme 1800 denarë.

Ndryshe, filloristët, nxënësit e shkollave të mesme, studentë dhe pensionistë janë kategoritë e para që mbulohen nga paketa e re e masave, për të cilat ofrohet ndihmë financiare disamujore. Masat, për të cilat janë ndarë 156 milionë euro nga buxheti, i ka bërë të ditur pasditen e sotme kryeministri Dimitar Kovaçevski.

“Mbi 105 mijë nxënës të arsimit fillor dhe të mesëm në gjashtë muajt e ardhshëm do të marrin 1200 denarë, përkatësisht 1800 denarë në muaj, për të cilat nga buxheti do të ndahen 14,3 milionë euro. 15 mijë studentë, që jetojnë jashtë vendit të studimit, do të përfitojnë kupon për transport. Në 7 muajt e ardhshëm studentët do të marrin vauçerë mujore nga 600 deri në 1200 denarë, për të cilat janë planifikuar 2 milionë euro”, tha kryeministri Kovaçevski.