Nxënësit e shkollave në Maqedoninë e Veriut do të marrin mbështetje financiare nëse familjet e tyre marrin nën 50 mijë denarë

Ministria për Arsim dhe Shkencë në Maqedoninë e Veriut ka publikuar Thirrjen publike që mundëson nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të marrin mbështetje financiare nëse familjarët e tyre marrin të hyra mujore deri 50 mijë denarë, transmeton Portalb.mk.

“Mbështetje financiare për nxënësit nga shkollat fillore dhe të mesme, familjarët e të cilëve marrin të hyra mujore neto nga rrogat deri 50 mijë denarë”, njoftoi Ministria për Arsim dhe Shkencë.

Përveç të ardhurave nën 50 mijë denarë, mbështetja financiare vlen për nxënësit me shtetësi të RMV-së dhe të jenë nxënës të rregullt. Nxënësit e shkollave fillore do të marrin 1200 denarë, ndërsa nxënësit e shkollave të mesme 1800 denarë.

Mundësia për aplikim është nga 18 dhjetori deri më 24 dhjetor, ndërsa dokumentet e nevojshme duhet të dorëzohen në shkollën ku është i regjistruar nxënësi.

Ndryshe, filloristët, nxënësit e shkollave të mesme, studentë dhe pensionistë janë kategoritë e para që mbulohen nga paketa e re e masave, për të cilat ofrohet ndihmë financiare disamujore. Masat, për të cilat janë ndarë 156 milionë euro nga buxheti, i ka bërë të ditur pasditen e sotme kryeministri Dimitar Kovaçevski.

“Mbi 105 mijë nxënës të arsimit fillor dhe të mesëm në gjashtë muajt e ardhshëm do të marrin 1200 denarë, përkatësisht 1800 denarë në muaj, për të cilat nga buxheti do të ndahen 14,3 milionë euro. 15 mijë studentë, që jetojnë jashtë vendit të studimit, do të përfitojnë kupon për transport. Në 7 muajt e ardhshëm studentët do të marrin vauçerë mujore nga 600 deri në 1200 denarë, për të cilat janë planifikuar 2 milionë euro”, tha kryeministri Kovaçevski.