Këtë vit vetëm 1000 aplikime për konkursin për projekte kulturore, që përfundon me 6 nëntor, vitin e kaluar kishte 3000

Ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska sot deklaroi se rreth një mijë aplikacione janë dorëzuar në Konkursin për financimin e projekteve me interes nacional në fusha të caktuara dhe aktivitete kulturore për vitin 2024, i cili filloi më 3 tetor dhe përfundon më 6 nëntor (e hënë), shkruan SDK, transmeton Portalb.mk.

Vitin e kaluar janë pranuar 3000 aplikime, ndërsa këtë vit janë pranuar 100 aplikime në ditën e parë të hapjes së konkursit, kështuqë ministrja shpreson që numri të rritet gjatë fundjavës. Tani për tani, thotë ajo, nuk është raportuar asnjë problem sa i përket aplikimit. Edhe këtë vit, regjistrimi elektronik zbatohet plotësisht përmes Portalit Kombëtar të Shërbimeve elektronike.

“Këtë vit nuk planifikojmë ta shtyjmë afatin sepse nuk kemi asnjë problem apo kërkesë. Vitin e kaluar kemi pasur”, tha Stojçevska në konferencën e sotme për media.

Risi këtë vit janë industritë kreative, por prioritet ka edhe dialogu strategjik me SHBA-në, Ballkani i Hapur, artistët e rinj, idetë e reja krijuese, idetë unike, megjithatë nuk mungon as tradita.

“Po ringjallim industritë kreative, të cilat patën mbështetje deri në vitin 2017. Kjo do të thotë se do të hapet një program i ri në Propozimin e Buxhetit për vitin 2024, me fonde të veçanta financiare. Ky konkurs i veçantë vlen vetëm për fushat dhe aktivitetet që janë pjesë e industrive krijuese, të cilat nuk janë dërguar në konkurse tjera dhe që nuk kanë pasur mundësi të financohen deri më tani. Industritë kreative bëhen një shtytës i rëndësishëm i ekonomisë, krijojnë vende të reja pune, sjellin fitim, por janë edhe promovues të identitetit kulturor. Ngritja e një programi të ri buxhetor që do të mbështesë industritë kreative është një investim në potencialin tonë intelektual dhe një tjetër mbështetje sistematike për industrinë kulturore”, tha ministrja më 3 tetor.

Vitin e kaluar ky konkurs përfundoi më 11 nëntor pasi ishte viti i parë që po bëhej aplikimi në formë elektronike dhe aplikuesit kishin nevojë për më shumë kohë.