RMV, me fonde prej 2.1 milionë euro nga BE do të mbështeten projekte artistike

Ministria e Kulturës njofton se është publikuar thirrja për linjën e grantit nga Programi “Evropa Krijuese”, nënprogrami Kultura i Bashkimit Evropian, me titull “Perform Europe”, transmeton Portalb.mk.

“Është një linjë granti që ka për qëllim bashkëpunimin në fushën e artit skenik në 40 vendet pjesëmarrëse në programin Evropa Kreative, ndër të cilat është edhe Maqedonia e Veriut. Për thirrjen janë ndarë mjete në vlerë prej 2.1 milionë euro, për të mbështetur 35 partneritete dhe në projekte duhet të marrin pjesë së paku tre partnerë nga të paktën tre shtete nga Evropa Kreative”, njofton Ministria e Kulturës.

Çdo aplikim për projekt duhet të përfshijë të paktën një vepër në fushën e arteve performuese, duke përjashtuar muzikën live, e cila duhet të prezantohet në të paktën tre vende të ndryshme të programit të Evropës Kreative.

Organizatat dhe individët e artit performues janë të ftuar të krijojnë partneritete dhe të propozojnë ide me ndikim që do të gjenerojnë ndryshime reale, duke u fokusuar në të paktën një nga prioritetet e deklaruara të kësaj thirrjeje: përfshirjen dhe diversitetin, si dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Kandidatët mund të aplikojnë për grante të ndara në tri kategori: Projekte të vogla partneriteti (deri në 12 mijë euro), projekte partneriteti të mesëm (deri në 32 mijë euro) dhe projekte të mëdha partneriteti (deri në 60 mijë euro).

Afati i fundit për dorëzimin e aplikacioneve në këtë thirrje, në të cilën mund të marrin pjesë edhe operatorët maqedonas, është 31 mars 2024, ora 23:59 përmes ueb-faqes së Perform Europe në https://performeurope.eu/.

Partnerët aplikantët mund t’i gjejnë përmes mjetit të kërkimit të partnerëve në faqen e internetit të Perform Europe https://performeurope.eu/login/.