RMV, kërkohen anëtarë të rinj të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit

Më 7 nëntor, saktësisht tre muaj para përfundimit të mandatit të përbërjes aktuale të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, në Gazetën Zyrtare është publikuar shpallja për zgjedhjen e kryetarit dhe anëtarëve të rinj. Mandati i përbërjes aktuale është deri më 7 shkurt të vitit 2024 dhe ky ishte mandati i fundit ligjor, raporton Portalb.mk.

Shpalljen e publikon Kuvendi i cili zgjedh anëtarët e tij dhe kriteret janë identike me ato të vitit 2019, kur u zgjodh përbërja aktuale. Nga kandidatët kërkohet që të jenë shtetas të Maqedonisë, të kenë diplomuar në Fakultetin Juridik ose të kenë arsim në fushën e shkencave politike, komunikimit ose ato ekonomike.

Sa i përket kritereve profesionale ata duhet të kenë të paktën dhjetë vjet përvojë, tetë prej të cilave në fushën e luftës kundër korrupsionit, qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit nëse kandidojnë për kryetar, dhe dy vjet më pak nëse duan të jenë anëtarë.

Antikorrupsionerë nuk mund të jenë as ata që kanë qenë deputetë, anëtarë të qeverisë, donatorë të partive politike apo kanë mbajtur funksione partiake në dhjetë vitet e fundit. Në këtë shpallje nuk mund të aplikojnë as ata që kanë qenë anëtarë apo kryetarë të komisionit deri më tani, çka do të thotë se ky komision do të ketë një përbërje krejtësisht të re.

Ajo që është specifike për Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit është mënyra se si zgjidhen anëtarët dhe kryetari. Me ligjin e vitit 2019 procedura ndryshon nga përplasjet e zakonshme partiake në Komisionin parlamentar për Zgjedhjet dhe Emërimet, i cili zgjedh përbërjen e organeve të tilla.

Intervistat e kandidatëve transmetohen publikisht në kanalin parlamentar ndërsa ata i intervistojnë përfaqësues të shoqatave të gazetarëve, shoqatave të tjera dhe fondacioneve, nga Akademia e Shkencave të Maqedonisë, Avokati i Popullit dhe Konferenca Ndëruniversitare. Edhe për përfaqësuesit e tyre tashmë është publikuar shpallje, e cila ashtu si për antikorrupsionerët zgjat dhjetë ditë. Në komisionin që kryen përzgjedhjen dhe që ka fjalën e fundit ka edhe përfaqësues të sektorit të shoqërisë civile.

Herën е kaluar për anëtarë të Komisionit aplikuan 80 kandidatë, por 22 prej tyre nuk iu pranuan kandidaturat për shkak të mospërmbushjes së kritereve. KShPK ka shtatë anëtarë.

Në raportet e Komisionit Evropian kjo përbërje e komisionit vlerësohet si proaktive në parandalimin e korrupsionit dhe në hapjen e lëndëve të reja.

Komisioni Evropian publikoi Raportin e progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Situata me luftën kundër korrupsionit në vend është vlerësuar pa asnjë përparim. Korrupsioni vazhdon të mbetet i përhapur në shumë fusha. Lidhur me ndryshimet e Kodit Penal thuhet se pengojnë aftësinë e autoriteteve për të hetuar dhe ndjekur penalisht vepra të tilla. “Kjo është një çështje shqetësuese serioze”, thuhet tekstualisht në raport.