Mariçiq e pranoi Raportin e Komisionit Evropian: Jemi të vetëdijshëm për sfidat që na presin

Shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, Dejvid Gir, sot në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut e dorëzoi Raportin e Komisionit Evropian për Republikën e Maqedonisë së Veriut për vitin 2023. Raporti u pranua nga zëvendëskryeministri i ngarkuar për çështjet eurointegruese, Bojan Mariçiq, transmeton Portalb.mk.

“Të vetëdijshëm për sfidat që na presin, qëllimi jonë është sigurimi i të ardhmes evropiane për Maqedoninë e Veriut, me atë edhe stabiliteti, siguria dhe zhvillimi i vendit dhe rajonit”, njoftojnë nga SÇE, duke theksuar që Qeveria do të vazhdon analizën rreth Raportit dhe angazhimin për realizmin e planeve të përbashkëta.

Sekretariati për Çështje Evropiane raportoi që në takimin ndërmjet Gir dhe Mariçiqit u diskutua për realizimin e qëllimeve strategjike drejt integrimit në Bashkimin Evropian, planin për zhvillim dhe reforma në Maqedoninë e Veriut dhe Ballkanin Perëndimor, veçanërisht Plani për rritje ekonomike.

Ndryshe, Bashkimi Evropian (BE) ka përgatitur një plan rritjeje prej 6 miliardë eurosh për të përafruar ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor me ato evropiane.

Komisioni Evropian publikoi Raportin e progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Situata me luftën kundër korrupsionit në vend është vlerësuar pa asnjë përparim. Korrupsioni vazhdon të mbetet i përhapur në shumë fusha. Lidhur me ndryshimet e Kodit Penal thuhet se pengojnë aftësinë e autoriteteve për të hetuar dhe ndjekur penalisht vepra të tilla. “Kjo është një çështje shqetësuese serioze”, thuhet tekstualisht në raport.