RMV, javën e kaluar ka rënë numri i të sëmurëve me grip, janë raportuar 42 persona
42 raste të reja me grip janë raportuar në vend gjatë javës së kaluar, në periudhën 21-27 tetor, që është një rënie prej 16 përqind krahasuar me javën e kaluar, transmeton Portalb.mk.
Shumica e të sëmurëve, ose gjithsej 13, janë në Gostivar, 12 në Kumanovë, tetë në Tetovë, nga tre raste janë në Negotinë dhe Shën Nikollë dhe nga një i sëmurë është raportuar në Shkup, Kavadar dhe Strumicë. Të sëmurët janë nga mosha 5 deri në 65 vjeç dhe shumica, 23 persona, janë të moshës 15-64 vjeç.
Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) thotë se deri më 27 tetor janë raportuar gjithsej 148 raste.
Vaksinimi kundër gripit sezonal ka nisur që prej datës 21 tetor në vend.
Regjistrimi për imunizimin bëhet përmes aplikacionit Vakcinacija.mk, me të cilin qytetarët regjistrohen drejtpërdrejt në sistemin “Termi im”. Sipas orarit të parashikuar në planin e vaksinimit, qytetarët marrin njoftim me SMS për datën, orën dhe vendin e saktë se kur duhet të vaksinohen.
Sipas të dhënave nga Drejtoria për shëndetësi elektronike, që nga fillimi janë vaksinuar 34.460 persona. Shumica e të vaksinuarve, 33,545 persona, janë të vaksinuar me vaksina falas, ndërsa 915 janë vaksinuar me vaksina komerciale të siguruara nga Qendrat e Shëndetit Publik, si vaksina për pjesën tjetër të popullsisë që nuk bëjnë pjesë në grupet e rrezikut.
Vaksinimi falas mbulon grupet e rrezikut – personat mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, punonjësit shëndetësorë, gratë shtatzëna, fëmijët e moshës 6 muaj deri në 5 vjeç, si dhe personat e vendosur në institucionet e mbrojtjes sociale të të moshuarve dhe punonjësit e institucioneve për mbrojtje sociale të të moshuarit.
Vaksinën kundër gripit sezonal më 24 tetor e mori ministri i Shëndetësisë Arben Taravari në Institutin për Shëndet Publik, ku është pika e vaksinimit për punonjësit shëndetësorë.