Deputetët e Frontit Evropian protestuan në Kuvend kundër Qeverisë së Mickoskit
Deputetët e Frontit Evropian me slogane në duar, penguan fjalimin e kryeministrit Hristijan Mickoki, në shenjë proteste ndaj punës së qeverisë gjatë seancës për pyetje të deputetëve, transmeton Portalb.mk.
Ndër sloganet që deputetët e Frontit mbanin në duar ishin: “PO Europës, JO Rusisë”, “Pa përkatësi etnike nuk ka Marrëveshje të Ohrit”, “Larg duart nga gjuha shqipe”.
Kujtojmë se Bashkimi Demokratik për Integrim në gusht njoftoi se nga shtatori se do të dalë në terren, pasi drafti i Pol Uilliamsit, i cili u angazhua nga BDI për të gjetur një zgjidhje për respektimin e legjitimitetit, u shqyrtua në Kryesinë Qendrore në Reçicë të Vogël.
Këto paralajmërime kryeministri Mickoski i quajti plane për destabilizim.
“Kemi informacione të marra nga disa se kjo kryesi e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në përpjekje për të mbrojtur kapitalin që ka krijuar në 20 vitet e fundit do të ndërmarrë hapa drejt destabilizimit të shtetit. Sipas këtyre informacioneve, presim që kjo të ndodhë këtë vjeshtë”, deklaroi Mickoski.
Ndryshe, Bashkimi Demokratik për Integrim e udhëhoqi koalicionin parazgjedhor “Fronti Europian” në zgjedhjet e fundit të 8 majit. Ata arritën të marrin 18 deputetë, por nuk arritën të bëhen pjesë e koalicionit qeveritar.