RMV, interesim i madh për vaksinimin kundër gripit sezonal, deri më tani janë regjistruar mbi 61 mijë qytetarë

Ministria e Shëndetësisë informon se për vaksinimin kundër gripit sezonal deri më tani janë paraqitur mbi 61,000 qytetarë, gjë që tregon interes të madh të qytetarëve për t’u mbrojtur nga komplikimet e gripit sezonal. Në pikat e vaksinimit janë vaksinuar tashmë mbi 19,000 qytetarë, transmeton Portalb.mk

“Duke filluar nga sot, ekipet lëvizëse të institucioneve shëndetësore do të kryejnë vaksinimin në shtëpitë e kujdesit për të moshuarit. Vaksinimi kundër gripit sezonal është masa më efektive për parandalimin e gripit, e cila parandalon shfaqjen e formave më të rënda, komplikimeve dhe rezultateve fatale, veçanërisht për grupet në rrezik”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë. 

Regjistrimi bëhet duke plotësuar aplikacionin vakcinacija.mk dhe në këtë mënyrë regjistroheni drejtpërdrejt për vaksinim në sistemin Moj Termin. 

Sipas planit të parashikuar të vaksinimit, qytetarët marrin një njoftim përmes SMS-it për datën, orën dhe vendin e saktë kur duhet të vaksinohen. Vaksinimi falas përfshin grupet në rrezik si: personat e moshuar (mbi 65 vjeç), personat me sëmundje kronike, punonjësit shëndetësorë, gratë shtatzëna, fëmijët nga mosha 6 muaj deri në 5 vjeç, si dhe personat e vendosur në institucionet e kujdesit social për të moshuarit dhe punonjësit në këto institucione.

Kujtojmë se javën e kaluar u raportuan 61,3 përqind më shumë raste të gripit krahasuar me javën paraprake.

Ndryshe, imunizimi ka filluar javën që lam pas, duke u vaksinuar gjithsej 8 mijë qytetarë.

Vaksinën kundër gripit sezonal më 24 tetor e mori ministri i Shëndetësisë Arben Taravari në Institutin për Shëndet Publik,  ku është pika e vaksinimit për punonjësit shëndetësorë.

“Kjo masë preventive për mbrojtjen e shëndetit e rekomandoj si ministër dhe si punonjës shëndetësor, sepse mendoj se secili duhet të mbrohet nga format më të rënda dhe komplikacionet nga gripi sezonal. Vaksina kundër gripit sezonal është falas për grupet e rrezikuara të popullatës dhe bëj thirrje për imunizim, veçanërisht për qytetarët që i përkasin grupeve të rrezikuara, që të mbrojnë shëndetin e tyre në kohë”, shkroi Taravari në Facebook.