RMV, janë sekuestruar rreth katër ton marijuanë e falsifikuar nga një kompani që e shiste për qëllime mjekësore
Rreth katër tonë marijuanë janë sekuestruar nga policia në një kompani në fshatin Josifovo të Vallandovës, e cila kishte licencë për prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore, njoftoi sot në mëngjes MPB. Marihuana u sekuestrua pasi nga inspektimi i institucioneve kompetente u konstatua se kompania nuk i përmbahej standardeve të prodhimit të përcaktuara me Ligjin për kontrollin e drogave narkotike dhe substancave psikotrope, gjegjësisht në vend të lules së tharë të kanabisit, paketonte degë, gjethe dhe biomasë me një fraksion shumë të ulët të luleve të thara të copëtuara, transmeton Portalb.mk.
Krahas sekuestrimit, siç njoftojnë nga MPB-ja, kallëzim penal është ngritur ndaj kompanisë, si person juridik, drejtuesit aktual dhe ish-menaxherit, si dhe ndaj tre personave të tjerë.
Rasti u zbulua kur në fund të muajit tetor dhe fillim të nëntorit të këtij viti, një komision i Ministrisë së Shëndetësisë, me kërkesë të MPB-së dhe në prani të efektivëve të Departamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit të Punëve të Brendshme në Vallandovë, ka kryer kontroll në kompaninë që kishte licencë për kultivimin e marijuanës për qëllime mjekësore.
“Gjatë bastisjes janë konstatuar parregullsi të shumta që kanë të bëjnë me marijuanën e prodhuar për qëllime mjekësore, pas çka është njoftuar prokurori publik kompetent nga Prokuroria Themelore Publike në Gjevgjeli, i cili ka urdhëruar bastisjen e personit juridik, pas urdhëresës së lëshuar paraprakisht nga gjyqtari i procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale Gjevgjeli dhe komisioni në Ministrinë e Shëndetësisë për plotësimin e kushteve për hapësirë, pajisje dhe personel për marrjen e miratimit për prodhimin e marijuanës për qëllime mjekësore”, thonë nga MPB.
Gjatë bastisjes autoritetet konstatuan se përmbajtja e paketuar në 500 kuti me një masë totale prej afërsisht 1.390 kilogramë nuk korrespondonte me deklaratat për praninë e lules së tharë të marihuanës të vendosura në secilën prej tyre.
Më pas ka ardhur urdhri i prokurorit publik kompetent për ekspertizë të përmbajtjes së kutive, të cilën e ka kryer Fakulteti i Farmacisë në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”. Ekspertiza, siç informojnë nga MPB, konstatoi se përmbajtja e pakove ishte e falsifikuar, gjegjësisht në vend të luleve të thara të marihuanës kishte mbeturina, degë, gjethe, biomasë dhe një pjesë shumë e vogël e luleve të thara, të vogla, të grimcuara, konstatime që tregojnë për kryerjen e veprës penale nga neni 95. c dhe neni 29 d i Ligjit për kontrollin e drogave narkotike dhe substancave psikotrope.
Policia e Vallandovës dhe Departamenti i Policisë Kriminale kanë kryer kontrolle shtesë, ndërsa në bisedë zyrtare janë thirrur 16 persona, mes të cilëve pronarë të kompanisë, një ish-udhëheqës, personeli i sigurimit dhe punëtorët të cilët janë marrë me prerjen dhe pastrimin e marijuanës.
“Është konstatuar se afërsisht 1.390 kilogramë marijuanë ka qenë e falsifikuar, si dhe është konstatuar se biomasa me THC (substanca aktive në bimën kanabis sativa) me masë totale prej 1629 kilogramë, të cilën personi juridik i është kërkuar ta asgjësojë dhe të dorëzojë njoftim në Ministrinë e Shëndetësisë nuk e ka asgjësuar dhe gjatë kontrollit është konstatuar te personi juridik”, thonë nga MPB.
Gjithashtu u konstatua se mungonin rreth 11 kilogramë marijuanë, për të cilën nuk u dha asnjë provë për vendndodhjen e saj.
Gjithashtu, gjatë kontrollit dhe bastisjes, autoritetet konstatuan se afërsisht 815 kilogramë marijuanë nga korrja e vitit 2023 ishte paketuar në polietilenë (qese najloni) në vend të kutive të kartonit, siç kërkohet me ligj.
Pasi policia i ka siguruar të gjitha provat materiale, thonë nga MPB-ja, Policia e Vallandovës ka parashtruar kallëzim penal në Prokurorinë Publike të Gjevgjelisë për vepër penale nga neni 95 c, 29 d të Ligjit për kontrollin e drogave narkotike kundër menaxherit të personi juridik U.R.G. (21) nga Bullgaria, ish-menaxher L.S. (35) nga Novosella, kundër personit juridik si dhe kundër B.I. (49) nga Dojrani i Ri, B.I. (25) nga Strumica dhe N.G. (40) nga Strumica.
Nga prokurori publik i Prokurorisë Publike të Gjevgjelisë është lëshuar urdhër për sekuestrimin e përafërsisht 1.390 kilogramë marijuanë të falsifikuar, përafërsisht 1.630 kilogramë biomasë me THC dhe përafërsisht 815 kilogramë marihuanë me THC.
“Gjithashtu, nga kontrolli dhe bastisja është konstatuar se nga drejtuesit e personit juridik është paraqitur sasi më e vogël e luleve të thata se sasia reale dhe është gjetur tepricë e marihuanës”, shton MPB.
Ndërkohë, komisioni pranë Ministrisë së Shëndetësisë ka përgatitur vendim për heqjen e licencës së kompanisë për prodhimin e marijuanës për qëllime mjekësore.