RMV, janë sekuestruar 22 vetura në një aksion të përbashkët të Doganës dhe MPB-së

Në aksionin e përbashkët dyditor të Sektorit për kontroll dhe hetime pranë Drejtorisë doganore dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, janë konfiskuar 22 automjete të udhëtarëve me targa të huaja të drejtuara nga shtetas të Maqedonisë, transmeton Portalb.mk.

Veturat e sekuestruara janë të markave të ndryshme dhe prej tyre katër PMV janë të markës Mercedes, tre PMV janë të markës AUDI, dy PMV janë të markës BMW, një automjet mallrash për pasagjerë është e markës TESLA etj, ndërsa të gjitha automjetet janë drejtuar nga shtetas të Maqedonisë në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për më shumë se 6 muaj.

Ndaj kryesve të kundërvajtjeve do t’i paraqitet gjykatës kompetente kërkesë për fillimin e procedurës për kundërvajtje.

“Përkatësisht, në përputhje me kompetencat ligjore të Drejtorisë doganore, të cilat janë në përputhje me kriteret dhe kushtet e përcaktuara në Konventën e Stambollit për import të përkohshëm, dispozitat e Ligjit doganor dhe dispozitat e Dekretit për zbatimin e ligjit doganor, qytetarët e RMV-së dhe të huajt mund të importojnë dhe drejtojnë përkohësisht një automjet në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut gjatë qëndrimit të tyre, por maksimumi 6 muaj në një periudhë 12-mujore, pas së cilës automjeti duhet të largohet nga territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut”, njoftojnë nga Dogana. 

Përndryshe, ata do të duhet të paraqiten në zyrën doganore më të afërt në vendin ku qëndrojnë përkohësisht dhe të fillojnë një procedurë të përshtatshme doganore për importin ose importimin e përkohshëm të automjetit.