RMV, sistem i ri lazer për të parandaluar përdorimin e paligjshëm të armëve

Me futjen e një sistemi të ri për menaxhimin e armëve të zjarrit të çaktivizuara, i mundësuar përmes donacionit nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Misioni i OSBE-së në Shkup, do të parandalohet abuzimi me armët dhe do të përmirësohet siguria në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Makina lazer për shënjimin e armëve, e cila është instaluar në Ministrinë e Brendshme, do të shënjojë në mënyrë të specializuar dhe të përhershme armët e zjarrit të çaktiizuara. Këto armë do të gjurmohen sistematikisht, gjë që do të përmirësojë mundësinë e gjurmimit të tyre. Krahas procesit të shënjimit do të futen edhe certifikatat e çaktivizimit, të pajisura me veçori mbrojtëse për të parandaluar falsifikimin”, thuhet në njoftim.

Përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së Armen Grigorjan tha se me aktivitete të ndryshme e përkrah luftën kundër keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta sepse mendon se kjo është një mënyrë efektive për ngritjen e nivelit të sigurisë së qytetarëve të Maqedonisë.

“Me blerjen e kësaj makinerie për shënjimin e armëve lazer dhe mikroskopin e instaluar më parë për analizimin e gjurmëve të armëve, kemi forcuar ndjeshëm kapacitetet teknike të Ministrisë së Punëve të Brendshme për trajtimin më efikas dhe parandalimin e përdorimit të paligjshëm të armëve të zjarrit”, thuhet në njoftim.

Ndërhyrjet e përbashkëta të UNDP-së dhe Misionit të OSBE-së në Shkup ndihmojnë vendin në përmbushjen e obligimeve të veta në zbatimin e rregulloreve për shënjimin e armëve të zjarrit të importuara dhe të çaktivizuara si dhe përmbushjen e standardeve ndërkombëtare dhe të Bashkimit Evropian për menaxhimin e armëve të vogla dhe të lehta.

Ambasadori Kilian Wahl, kreu i misionit të OSBE-së në Shkup, tha se donacioni do t’i mundësojë Ministrisë së Brendshme të lëshojë certifikata të çaktivizimit në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe të forcojë efektivisht kontrollin e armëve.

Donacioni i UNDP-së financohet nga qeveritë e Gjermanisë, Suedisë, Holandës, Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Norvegjisë përmes Fondit Shumë-Partnerësh të mbështetur nga Bashkimi Evropian për Zbatimin e Udhërrëfyesit për Kontrollin e MLO në Ballkanin Perëndimor.

Kujtojmë se UNDP, mbështet edhe projektin për sigurimin e ekspertizës dhe mbështetje për gjyqësorin dhe organeve të ndjekjes në Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Kosovë. Ky projekt ka nisur më 1 janar 2023 dhe do të zgjasë katër vjet. Me këtë projekt Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, projekti fokusohet në forcimin e kapaciteteve të organeve gjyqësore dhe në aktivitetet për ngritjen e vetëdijes për ballafaqimin me recidivët nga konfliktet dhe promovimin e pajtimit përmes ri-grantimit  të organizatave civile.