RMV-ja e para nga Evropa: Kuvendi miratoi ndryshimet ligjore – zgjidhet statusi i personave pa shtetësi

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut sot pasdite miratoi ndryshimet në Ligjin për Gjendjen Civile, ndryshime që duhet të mundësojnë zgjidhjen e të gjitha rasteve të njohura të pashtetësisë, por edhe që çdo fëmijë i lindur në vend të marrë certifikatën e lindjes, pavarësisht nëse prindërit e tyre janë pa dokumente ose pa shtetësi, transmeton Portalb.mk.

UNHCR, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, përshëndeti miratimin e sotëm të ndryshimeve ligjore, duke e vlerësuar atë si hapin e fundit në një sërë masash që autoritetet po marrin për të parandaluar dhe trajtuar pa shtetësinë.

Çdo fëmijë i lindur në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka të drejtë të regjistrohet në regjistrin e lindjes menjëherë dhe jo më vonë se 45 ditë nga dita e lindjes së fëmijës, pavarësisht nga shtetësia dhe statusi personal i prindërve të tij, thuhet në një nga nenet e Ligjit për evidencën amzë.

“Kjo udhëheqje me shembullin e treguar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut është hapi i fundit në një sërë masash që autoritetet i marrin për parandalimin dhe zgjidhjen e pa shtetësisë, përfshirë atë me të cilin Ministria e Punëve të Brendshme u dha shtetësinë 290 personave pa shtetësi. UNHCR do të mbështesë institucionet për të zbatuar dispozitat ligjore dhe për të punuar ngushtë me aktorë të ndryshëm për të parandaluar raste të reja të pashtetësisë,” tha përfaqësuesja e UNHCR-së, Monica Sandri.

UNHCR thotë se miratimi i sotëm i ndryshimeve në Ligjin për gjendjen civile është një hap i rëndësishëm drejt realizimit të obligimeve ndërkombëtare të shtetit. Kjo përpjekje e gjithë shoqërisë, vlerëson Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, i hap rrugën vendit që të bëhet vendi i parë në Evropë dhe i dyti në botë që zhduk pa shtetësinë.

“Shpresojmë të dëshmojmë një bashkim dhe solidaritet të ngjashëm në Forumin Global të Refugjatëve në dhjetor. Ndryshimet legjislative u bënë të mundura falë përpjekjeve të përbashkëta të autoriteteve shtetërore, shoqërisë civile, medias, OSBE-së, Delegacionit të BE-së, Këshillit të Evropës, agjencive të OKB-së dhe të tjerëve që punojnë së bashku si pjesë e fushatës globale #UnëPërkas (#IBelong ) për t’i dhënë fund pa shtetësisë deri në vitin 2024”, thotë UNHCR.

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga deklaroi se deputetët pranuan ndryshimet që u paraqitën nga Ministria e Drejtësisë, e cila gjeti zgjidhje për personat e paevidentuar.

“Qëllimi i ligjit është evidentimi i personave të paevidentuar në një libër amzë të veçantë me qëllim të marrjes së certifikatës dhe dokumentit të identifikimit me qëllim të ushtrimit të së drejtës për arsim, kujdes social dhe shëndetësor. Kjo zgjidhje ligjore do të lejojë rreth 700 persona të rregullojnë statusin e tyre që më parë nuk mund të zgjidhej për arsye objektive apo subjektive, duke mos u evidentuar në librat amzë. Me miratimin e këtij ligji , vendi ynë u bë vendi i parë në Evropë që zgjidhi statusin e personave të paevidentuar”, tha Lloga.

Dita kur Kuvendi miratoi ndryshimet ligjore përkoi me ditën e varrimit të djalit Memet Kamber. Ai vdiq më 24 maj të këtij viti, për shkak të komplikimeve të rënda të shkaktuara nga diabeti i padiagnostikuar. Nëntëmbëdhjetë vjeçari Memet nuk kishte kartë shëndetësore apo kartë identiteti dhe shkoi në spital me kartën e dikujt tjetër kur tashmë ishte tepër vonë.

Trupi i tij i pajetë qëndroi tre javë në morgun e varrezave të Butelit në Shkup, para se të varrosej sot, për shkak të pengesave burokratike për shkak të mungesës së dokumenteve. Shërbimet administrative punuan për problemin me të cilin u desh të vërtetohej se cilët janë prindërit biologjikë të Memetit, në mënyrë që sipas ligjit dhe provës nga analiza e ADN-së, të regjistroheshin në librin amzë.

Instituti Romalitico paralajmëroi se përveç Memetit, ka edhe shembuj të tjerë të personave që kanë humbur jetën ose janë përballur me vështirësi serioze në procesin e marrjes së kujdesit shëndetësor.

Aktualisht ka rreth 1000 persona pa dokumente, të cilët rrezikohen të kenë të njëjtin fat si Memeti, thanë së fundi nga Instituti Romalitiko me një apel që të kalohen sa më shpejt ndryshimet ligjore dhe të zgjidhet statusi i këtyre personave, të cilët do marrin të gjitha të drejtat si dhe qytetarët e tjerë.