RMV, interesimi i studentëve për programin Erasmus gjithnjë e në rritje (Infografik)

Interesimi i studentëve nga Universiteti i Tetovës (UT) dhe Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL) për këmbime jashtë vendit përmes programit Erasmus+ për çdo vit e më tepër është në rritje, këtë e thonë universitetet dhe statistikat e studentëve pjesëmarrës në këto këmbime. Interesim është i lartë edhe në nivel shtetëror. Studentët që kanë kaluar këtë eksperiencë, Erasmusin e vlerësojnë si “provim” që duhet ta kalojë çdo student, shkruan Portalb.mk.

Erasmus+ është program i Bashkimit Evropian i cili e mbështet arsimin, trajnimin, rininë dhe sportin në Evropë. Pjesë e këtij programi janë edhe universitetet e RMV-së. Ky program u mundëson studentëve të regjistruar në institucionet e arsimit të lartë të ndjekin një deri në dy semestra këmbimi apo dymbëdhjetë muaj praktikë në kompani apo institucione Evropiane. Gjatë kësaj periudhe, studentët marrin bursë financiare për t’i mbuluar harxhimet e tyre.

Erasmusi, eksperiencë që çdo student duhet ta jetojë

Do i kisha thënë çdo studenti që jetën e tyre studentore mos ta lënë pa bërë Erasmus pasi është gjëja më e mirë që mund të ju ndodh. Kështu shprehet për Portalb.mk studentja e stomatologjisë në Universitetin e Tetovës, Mirela Memeti e cila përmes programit Erasmus ishte për një semestër në universitetin “Katip Çelebi” në Izmir të Turqisë.

Mirela Memeti, foto nga arkivi personal ( e përdorur me leje).
Mirela Memeti, foto nga arkivi personal ( e përdorur me leje).

“Eksperienca ime me programin Erasmus ka qenë shumë e mirë, nuk e kam menduar se do kaloj aq mirë. Kemi pasur mikpritje shumë të madhe nga njerëzit atje. Kushtet e universitetit ishin shumë të mira, na kanë lejuar të marrim edhe pacientë, kushtet e klinikës ishin në nivel shumë të lartë. Përveç përfitimeve nga të mësuarit, kemi kaluar edhe të gjitha provimet, kemi pasur bashkëpunim shumë të madh me profesorët dhe asistentët, kolegët nga kanë ndihmuar shumë atje”, theksoi Mirela.

Përpos pjesës së universitetit, Mirela thotë se kjo ka qenë eksperiencë shtesë ku kanë parë vende të reja, janë njoftuar me shoqëri të re dhe tradita të reja.

“Mendoj se Erasmusi është mundësi për të hapur mendjet e studentëve, e dimë se në çfarë vendi jetojmë dhe se jemi pak mbrapa vendeve tjera dhe kjo të ndihmon të bëhesh më mendje hapur. Nuk është se ka pasur ndonjë sfidë shumë të madhe, marrë parasysh se e ndryshon vendin dhe se jeton vetë, ka pasur pak vështirësi në fillim me adaptimin, gjuhën dhe mësimi i mjeteve të transportit”, tha studentja Memeti.

Nga ana tjetër, Betim Sherifi, i cili në gjimnaz ishte në një klasë me Mirelën, por që studimet i vazhdoi në një degë tjetër, për shkenca kompjuterike në UEJL, për Portalb.mk thotë se për të, programi Erasmus ka qenë mundësi e mrekullueshme të cilën si student e ka shfrytëzuar dy herë.

Betim Sherifi, foto nga arkivi personal (e përdorur me leje).
Betim Sherifi, foto nga arkivi personal (e përdorur me leje).

“Herën e parë kam ndjekur studimet për një semestër në Universitetin e Zhilinës, në Sllovaki. Studimet në një universitet evropian, mundësia për tu shoqëruar me studentë nga e tërë Evropa e më gjerë, dhe sfida e të jetuarit vetëm në një qytet krejtësisht të panjohur kanë qenë përvoja shumë të dobishme për mua si në rrafshin profesional, njëjtë edhe në atë personal”, theksoi Betimi.

Herën e dytë, menjëherë pas diplomimit, nëpërmjet programit Erasmus ai  pati mundësinë të punojë si praktikant (internship) në një kompani të huaj në Graz, Austri, ku falë kësaj eksperience ai sot është i punësuar në këtë kompani të huaj.

“Puna si programer në një kompani evropiane, më ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë që të fitoj aftësi të reja teknike të profesionit tim. Përveç kësaj, prej ekspozimit ndaj kulturave të ndryshme në një kompani me punëtore nga e tërë bota, sot aftësitë e mia komunikuese dhe të punuarit në grup janë asete që i kam përmirësuar ndjeshëm, dhe do më ndihmojnë edhe në të ardhmen. Pas përfundimit të internshipit, kompania më ofroi mundësinë që të vazhdoj të punoj për ta, dhe madje edhe sot ende punoj në po atë kompani”, përfundoi Betimi.

Studentët e universiteteve në Tetovë gjithnjë e më të interesuar për programin Erasmus

Universitetin e Tetovës (UT), për çdo vit numri i studentëve të interesuar për këtë program është në rritje. Vendet më të përzgjedhura nga ana e studentëve për të shkuar në këmbim nga ky universitet janë Gjermania, Italia, Turqia, Lituania, Polonia, Spanja, Rumania dhe të tjera.

Shfrytëzimi i programit Erasmus nga studentët e UT-së. Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Shfrytëzimi i programit Erasmus nga studentët e UT-së. Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Pavarësisht interesimit të lartë nga ana e studentëve për pjesëmarrje në këtë program, Shpresa Ademi nga Zyra për Marrëdhënie Ndërkombëtare në UT thekson se fondet e ndara nga Agjencia Nacionale për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitete lënë shumë për të dëshiruar.

“Universiteti i Tetovës është universiteti i dytë në vendin tonë sa i përket numrit të përgjithshëm të studentëve. Kërkesat tona janë të vazhdueshme për zmadhimin e fondit për mobilitetin e stafit dhe të studentëve, me qëllim të mundësimit të këmbimit të përvojave studentore në universitetet tona simotra nga hapësira Evropiane”, tha Shpresa Ademi.

Pjesëmarrja në këtë program është e lartë edhe nga studentët e Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL). Shtetet ku studentët e këtij universiteti shkojnë shtrihen në tërë Evropën duke filluar nga Finlanda, Norvegjia, Gjermania për të vazhduar më tej në vendet si Italia, Sllovenia, Kroacia, Turqia dhe të tjera.

Shfrytëzimi i programit Erasmus nga studentët e UEJL-së. Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Shfrytëzimi i programit Erasmus nga studentët e UEJL-së. Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Bujar Sinani nga Zyra për Marrëdhënie Ndërkombëtare në UEJL, për Portalb.mk theksoi se sipas informatave të Agjencisë Nacionale për Programe Studimore Evropiane dhe Mobilitet, grantet të cilat iu ndahen universiteteve të cilët vijnë nga shtetet përfituese, ku bën pjesë edhe Maqedonia e Veriut, tashmë bazohen në bruto prodhimin  vendor dhe si rrjedhojë, edhe shuma e granteve të cilët iu jepen universiteteve ka pësuar rënie shumë domethënëse.

“Tërë kjo shkon në disfavor të studentëve dhe palëve përfituese, të cilët tashmë janë mësuar me këto mundësi për të studiuar apo realizuar punë praktike në universitete partnere dhe kompani të ndryshme evropiane”, tha Bujar Sinani.

Interesim i lartë edhe në nivel nacional për Erasmus

Agjencia Nacionale për Programe Studimore Evropiane dhe Mobilitet (ANPSEM) është institucioni i cili merret me programin Erasmus+ në nivel shtetëror dhe i cili bën miratimin e bursave Erasmus+ të cilat ju jepen universiteteve, të cilat pastaj sipas rregullave të tyre bëjnë shpërndarjen e tyre te studentët e interesuar.

Nga kjo Agjenci për Portalb.mk thanë se nga viti 2014 deri në vitin 2020 në Maqedoninë e Veriut ka pasur gjithsej 2,354 mobilitete të ardhura (studentë, profesorë dhe staf administrativ) ndërsa nga vendi kanë dalë 2,165 mobilitete (studentë, profesorë dhe staf administrativ).

Vendet ku më së shpeshti studentët e vendit shkojnë në mobilitet janë Turqia, Kroacia, Sllovenia, Bullgaria dhe Spanja.

Shfrytëzimi i programit Erasmus nga studentët e RMV-së. Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Shfrytëzimi i programit Erasmus nga studentët e RMV-së. Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Portalb.mk pyeti këtë Agjenci se a mendojnë se universitetet kanë nevojë për ndarjen e më shumë bursave të tilla, duke marrë  për shembull në Universitetin e Tetovës ku ka shumë të interesuar, por nga kjo Agjenci u përgjigjën shumë shkurt.

“Çdo vit do të rritet buxheti për studentët, pra për numrin e mobiliteteve studentore në përputhje me planin dhe projeksionet e kolegëve nga Komisioni Evropian”, thanë nga Agjencia Nacionale për Programe Studimore Evropiane dhe Mobilitet.

Ndryshe, prillin e vitit 2021 u shpall zyrtarisht programi Erasmus+ për periudhën 2021-2027.  ANPSEM njoftoi se programi Erasmus+ për këtë periudhë ka buxhetin historikisht më të lartë prej 28,4 miliardë euro në nivel evropian dhe parashikon mbi 10 milionë pjesëmarrës.