RMV, gostivarasi që e rrahu bashkëshorten është transferuar në burgun e Shutkës, i është caktuar paraburgim 30-ditor

I dyshuari gostivaras për rrahjen e bashkëshortes, i cili ishte arrestuar dhe transferuar në Spitalin Psikiatrik „Shkup“ në Bardovcë, nga mbrëmë ndodhet në burgun e Shutkës, konfirmojnë nga Gjykata Themelore e Gostivarit, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

Nga gjykata thonë se është pranuar propozimi i Prokurorisë dhe 52-vjeçarit M.M. i është caktuar paraburgim 30-ditor.

I dyshuari, dje nga spitali në Bardovcë është dërguar në gjykatë ku ka dhënë deklaratë dhe e ka mohuar veprën.

Gostivarasi kur është dërguar në gjykatë është dukur në rregull, ndërsa kur i është ofruar mbrojtës sipas detyrës zyrtare ai e ka refuzuar këtë dhe ka kërkuar avokat sipas zgjedhjes personale. Në gjykatë ka ardhur avokati Lupço Llazarevski.

Pasi ka përfunduar me dhënien e deklaratës, M.M. është transferuar në burgun „Shkup“ në Shuto Orizare.

Paraprakisht, siç shtojnë nga gjykata e Gostivarit, M.M. ka qenë i dënuar për vjedhje të rëndë në vitin 2020.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dje informuan se të premten ishte raportuar se 52-vjeçari M. M. e kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij 42-vjeçare. Nga MPB thanë se pasi rasti ishte raportuar, menjëherë më pas personi ishte privuar nga liria. Gjatë intervenimit ai kishte bërë rezistencë dhe kishte sulmuar fizikisht nëpunës policorë, me ç’rast një polic ishte lënduar. Për ngjarjen ishte njoftuar prokurori publik, ndërsa M. M. ishte shoqëruar në Spitalin Psikiatrik „Shkup“ në Bardovc.

Prokuroria Themelore Publike në Gostivar filloi hetim kundër një 52-vjeçari të dyshuar për tentativë vrasjeje të bashkëshortes gjatë dhunës në familje në fshatin Toplicë të Gostivarit, ndërsa për shkak të peshës së veprës, rrezikut të arratisjes, mundësisë për të ndikuar te dëshmitarët, si dhe rrezikut që i dyshuari ta çojë deri në fund veprën, prokurori publik ka dorëzuar propozim deri te gjyqtari i procedurës paraprake për caktimin e masës së paraburgimit.