RMV, gjuha seksiste e urrejtjes ndaj vajzave të reja përhapet përmes komenteve në raportet gazetareske

Gjuha e urrejtjes seksiste ndaj vajzave të reja përhapet përmes komenteve në raportet gazetareske në mediat sociale, të cilat janë terren pjellor për zhvillimin e përmbajtjeve dashakeqe dhe shqetësuese me bazë gjinore. Baza e krijimit të përmbajtjeve të tilla janë zakonisht raportet gazetareske, kështu që roli i mediave dhe raportimi i tyre është i rëndësishëm për parandalimin e tyre, e veçanërisht rregullimin e komenteve për raportet gazetareske në mediat sociale. Këtë e tregon analiza e përmbajtjes me bazë gjinore “Gjuha e urrejtjes seksiste ndaj vajzave të reja”, e prodhuar nga Instituti për Studime të Komunikimit. Hulumtimi ka analizuar më shumë se 1500 komente në raportet e mediave në Facebook për dy raste – dy të miturat e zhdukura në Çair dhe dy vajzat e zhdukura në Qendër, ndërmjet marsit dhe majit 2023. Këto raste janë përzgjedhur për përmbajtjen e komenteve që shkaktuan në mediat sociale, transmeton Portalb.mk.

Sipas analizës, gjuha seksiste e urrejtjes ndaj vajzave bazohet në opinione personale dhe spekulime që ngjallin imagjinatën e audiencës dhe përmbajtja e komenteve fokusohet në kërkimin e një “fajtori” për situatën, nga ku zhvillohet diskutimi dhe narativat negative. Analiza tregon se audienca e mediave sociale është e prirur ndaj komenteve të bazuara në stereotipe gjinore që ofendojnë dhe seksualizojnë vajzat e reja, komente për përdorimin e dhunës fizike ndaj vajzave si masë disiplinore që përjetëson dhunën me bazë gjinore dhe komente të dhunshme homofobike për orientimin seksual, të cilat gjithashtu inkurajojnë dhe rezultojnë në dhunë në shoqëri. Prandaj, mediat që nuk kanë politikë për rregullimin e komenteve të tilla negative në raportet gazetareske kontribuojnë në përhapjen e përmbajtjeve shqetësuese, si dhe në krijimin shtesë të të rejave. Dhe përmbajtja keqdashëse dhe gjuha e urrejtjes me bazë gjinore ndikojnë seriozisht në zhvillimin dhe jetën e mëtejshme të vajzave të reja, si dhe në shkallën e lartë të intolerancës në shoqëri.

“E gjithë kjo tregon për rolin e rëndësishëm të medias. Gazetarët duhet të jenë të kujdesshëm në formulimin e titujve, si dhe në raportin e plotë, kur bëhet fjalë për raste të ndjeshme, pasi kjo mund të ndikojë që lexuesit të nxjerrin përfundime sipërfaqësore. Media duhet të vendosë politika të brendshme dhe persona përgjegjës për rregullimin e komenteve me përmbajtje negative për të parandaluar përhapjen e tyre. Gjithashtu, ata duhet të tregtojnë më shumë përmbajtje që promovojnë barazinë gjinore dhe të rrisin ndërgjegjësimin për mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore, dallimet e identitetit dhe nevojën për përfshirje në shoqëri. Nga ana tjetër, vajzat e reja duhet të informohen për efektet negative, si të njohin dhe si të merren me gjuhën e urrejtjes seksiste. Duke qenë se krijuesit e përmbajtjeve keqdashëse nuk janë të sanksionuar, është e nevojshme të rriten kapacitetet e institucioneve për njohje dhe veprim në raste të tilla”, thuhet në analizë.

Analiza mediatike është bërë në kuadër të projektit “Përdorimi i gazetarisë së bazuar në fakte për ngritjen e vetëdijes dhe kundër dezinformimit në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut”, i cili zbatohet me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Shkup.

Kujtojmë se në fund të marsit të këtij viti, u zhdukën dy vajz, 12 dhe 15-vjeç, të cilat më pas u gjetën në një park në Çair, tek një objekt shitës, gjegjësisht në rajonin e stacionit policor “Bit Pazar”.