RMV, filloi punën Këshilli për monitorimin dhe zbatimin e Strategjisë katërvjeçare në drejtësi

Nën udhëheqjen e ministrit të drejtësisë, Krenar Lloga, sot u mbajt seanca konstituive e Këshillit për monitorimin e zbatimit të Strategjisë Zhvillimore Sektoriale për Gjyqësorin (2024-2028). Përfaqësuesi i VMRO-DPMNE-së mungoi në seancë, transmeton Portalb.mk.

“Duke qenë se, si shtet duhet të japim rezultate sa i përket proceseve reformuese në vend, pasi shpresojmë që shumë shpejt do t`i fillojmë negociatat për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, miratimi i kësaj Strategjie ishte i një rëndësie të jashtëzakonshme, e cila në të ardhmen do të vlerësohet edhe nga aspekti i miratimit të Agjendës reformuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut nga Këshilli i Bashkimit Evropian”, deklaroi Lloga.

Ky Këshill ka për qëllim ndjekjen e reformave në gjyqësorin e Maqedonisë së Veriut, reforma që për katër vitet e ardhshme pritet të sjellin një gjyqësor të pavarur. Këshilli do të ndjekë zbatimin e hapave të Planit të veprimit.

“Vizioni i Strategjisë Zhvillimore Sektoriale për Gjyqësorin (2024-2028) është një gjyqësor i pavarur, i përgjegjshëm, transparent dhe i aksesueshëm, rezistent ndaj ndikimeve të brendshme dhe të jashtme, i cili i mbron të drejtat e njeriut dhe siguron sundimin e të drejtës në mënyrë efikase”, raportoi Ministria e Drejtësisë.

Në muajin mars, Qeveria e Maqedonisë së Veriut e miratoi formimin e Këshillit për monitorimin e zbatimit të Strategjisë Zhvillimore Sektoriale për Drejtësi (2024-2028). Strategjia Zhvillimore Sektoriale për Drejtësi për katër vitet e ardhshme është miratuar në seancën e Qeverisë më 26 dhjetor të vitit 2023. Përmes kësaj strategjia planifikohet rritja e efikasitetit të sistemit gjyqësor.

 

Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2023 për Maqedoninë e Veriut kundrejt integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, ishte mjaftë shqetësues në veçanti me progreset në disa sfera, edhe atë: drejtësia, administrata publike, lufta kundër korrupsionit dhe rrishqyrtimi i Kushtetutës si polarizim politik. Portalb.mk analizoi programet zgjedhore të kandidatëve të koalicioneve edhe në lidhje me reformën në gjyqësor.