RMV, filloi me punë grupi punues për përgatitjen e propozim-ligjit për prejardhjen e pronës në procedurë civile

Grupi formal punues për përgatitjen e propozim-ligjit për prejardhjen e pronës në procedurë civile ka mbajtur sot mbledhjen e parë, në të cilën është rënë dakord për dinamikën intensive të punës në muajin e ardhshëm, transmeton Portalb.mk.

Nga Qeveria njoftuan se qëllimi është përgatitja e një zgjidhjeje deri në mes të shtatorit, e cila do t’i dërgohet për mendim Bashkimit Evropian dhe Komisionit të Venecias.

Në këtë drejtim, zëvendëskryeministrja përgjegjës për politika të qeverisjes së mirë, Slavica Grkovska, e cila kryeson këtë grup punues, theksoi se është e rëndësishme që shteti ta miratojë këtë ligj sa më shpejt, sepse do të përfaqësojë vlerë të shtuar në luftimin e korrupsionit.

Nga atje bëjnë të ditur se Grkovska njoftoi anëtarët e grupit punues për draft tekstin e këtij ligji, i cili është përgatitur vitin e kaluar në bashkëpunim me Këshillin e Evropës.

“Ky dokument fillestar është bazë e fortë për krijimin e një ligji që do të jetë funksional, i zbatueshëm, që nuk do të jetë në kundërshtim me zgjidhjet e tjera ligjore dhe që do të respektojë standardet ndërkombëtare”, thanë nga Qeveria.

Na atje shtojnë se nga studimi i fizibilitetit, analiza e situatave dhe modeleve të konfiskimit në sistemet juridike moderne, grupi i ekspertëve ekzistues joformal arriti në përfundimin se legjislacioni ekzistues penal dhe administrativ nuk mund të mbulojë plotësisht rastet që shfaqen në praktikë, kur në procedim nuk mund të sekuestrohet plotësisht pasuria e fituar nga burime të paligjshme.

“Prej aty, disa dokumente ndërkombëtare dhe vendase u konsideruan si bazë për përgatitjen e një zgjidhjeje të re të qëndrueshme ligjore, përmes së cilës do të mundësohet krijimi i një mekanizmi shtesë për parandalimin e suksesshëm të pasurimit të pabazë dhe prejardhjes të pronës që nuk është fituar nga burimet ligjore”, informoi Qeveria.

Dokumenti fillestar i paraqitur do të përmirësohet nga ky grup punues, i cili përbëhet nga përfaqësues të: Kabinetit të zëvendëskryeministres përgjegjëse për politikat e qeverisjes së mirë , Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Financave, Drejtoria e të Ardhurave Publike, Drejtoria  e Policisë Financiare, Drejtoria për Inteligjencë Financiare, Drejtoria doganore, Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar, Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut – Zyra për kthimin e pasurisë, Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Prokuroria Themelore Publike Shkup, Gjykata Themelore Penale Shkup, Gjykata Themelore Civile Shkup, Gjykata Administrative, Avokatura e Shtetit, përfaqësues nga komuniteti akademik, si dhe përfaqësues të Platformës së organizatave civile për luftimin e korrupsionit dhe të grupit “Blueprint” të Projektit për Reformat në Drejtësi.