Pendarovski: Personat e fuqishëm ekonomikisht kanë ndikim të madh ndaj gjyqësorit, është i rëndësisë thelbësore miratimi i ligjit për prejardhjen e pronës

Presidenti, Stevo Pendarovski, sipas vlerësimeve të bazuara në informatat që ka, mendon se oligarkët në Maqedoni kanë më shumë ndikim dhe ndikojnë më lehtë ndaj gjyqësorit se sa politikanët. Këtë konkludim e ka nxjerrë në bazë të informatave që i vijnë, duke bërë krahasime me periudhat e mëhershme transmeton Portalb.mk.

“Unë deri në këtë moment nuk kam marrë informata se, ndonjë politikan i pushtetit aktual ka diktuar me telefon ndonjë vendim gjyqësor siç kemi pasur raste më herët. Të mos ishin “bombat e Zaevit” nuk do të dinim as për atë periudhë se ajo ka ndodhur në mënyrë masive. Vlerësimi im është se gjatë kohës së këtij pushteti, në lidhje me rastet e profilit të lartë, shumë më i madh është ndikimi i qendrave të fuqisë ekonomike se sa asaj politike”, tha Pendoravski në intervistë për javoren “Fokus”.

Ai theksoi se, problemet në këtë sferë, reputacioni i keq në këtë segment të pushtetit edhe etablimi i politikës së pandëshkueshmërisë nuk është asgjë e re dhe se, gjendja daton që nga pavarësa.

“Ne kemi problem me sistemi gjyqësor nga viti 1990 e këtej sepse asnjëherë nuk u pavarësua nga qendrat e fuqisë politike, por do të thosha edhe më shumë nga qendrat e fuqisë ekonomike. Vetingut që deshëm ta zbatojmë në vitin 2016 me siguri do të jepte rezultat më të mirë nga ai i tanishme, por Evropa na tha se, për shkak të përvojës së keqe me Shqipërinë, nuk duhet të mendojmë në atë drejtim. Pa ndëshkimin e njerëzve të cilët dukshëm nuk i respektojnë ligjet, nuk ka përparim”, tha Pendarovski.

Sipas tij, projekt i paralajmëruar prej shumë kohës për shqyrtimin e prejardhjes së pronës është e një rëndësie strategjike për vendin.

“Nuk shoh se flitet fare në atë temë mes dy blloqeve politike. Dua të shohë veprim të përbashkët të pushtetit dhe opozitës për këtë zgjidhje ligjore. Të arrijmë konsensus dhe të shqyrtojmë pronën e të gjithë atyre që merren me çështje pubike”, tha presidenti.