RMV, 30 ditë paraburgim për gjykatësin e dyshuar, ndërsa për të dyshuarin e dytë ndalesë jashtë shtetit

Në skandalin e fundit në funksionimin e gjyqësorit në Maqedoninë e Veriut, gjykatësi ka përcaktuar 30 ditë paraburgim për gjykatësin suprem Nake Georgiev, ndërkohë Prokuroria ka kërkuar edhe masa kufizuese për të dyshuarin e dytë, transmeton Portalb.mk.

Gjykata Themelore Penale pranoi propozimin e Prokurorisë në lidhje me masën e paraburgimit të Nake Georigevit nën dyshimet se ka kryer veprën penale “pranim i shpërblimit për ndikim të paligjshëm”, vepër e dënueshme në bazë të nenit 359 nga Kodi Penal.

Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit filloi hetimet në lidhje me kryerjen e veprës penale “pranim të shpërblimit për ndikim të paligjshëm” për Nake Georgievin dhe anëtarin e Këshillit të Prokurorëve Publikë, Ixhet Memeti.

“Propozim deri te gjykatësi i procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore Penale në Shkup për përcaktimin e masës së kujdesit ndaj të dyshuarit të dytë – anëtar në Këshillin e Prokurorëve Publik”, njoftoi Prokuroria Themelore Publike

Në rast se propozimi pranohet nga gjykatësi, i dyshuari i dytë duhet të paraqitet herë pas here te ndonjë organ ose zyrtar të drejtësisë dhe t’i ndalohet dalja jashtë shtetit.

Ndryshe,  Nake Georgiev në bazë të dyshimeve për “marrje të shpërblimit për ndikim të paligjshëm”, është arrestuar më 20 maj në vendin e ngjarjes. Në lidhej me të dyshuarin e dytë, në Tetovë është bastisur shtëpia e anëtarit të këshillit të prokurorëve I.M, si dhe është bërë bastisje në objektet zyrtare të këshillit të prokurorëve publik.

I.M konsiderohet i afërt me BDI-në dhe ka qenë Avokati i Popullit për dy mandate. Ai është gjithashtu ish-ministër i Drejtësisë, gjyqtar kushtetues, këshilltar shtetëror në Qeveri dhe anëtar i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.