Çairi dhe Struga, të vetmet komuna me shumicë shqiptare të cilat nuk kanë Këshill Rinor Lokal

Komuna e Çairit dhe Strugës janë të vetmet komuna me shumicë shqiptare të cilat ende nuk kanë filluar me procedurën e formimit të Këshillit Rinor Lokal, që do t’u mundësojë të rinjve të kyçen në politika rinore. Kërçova dhe Dibra në janar të këtij viti hapën shpallje publike për anëtarësim në Këshillat Rinor, ndërkaq komunat të cilat kanë këshill rinor funksional janë Tetova dhe Gostivari, shkruan Portalb.mk.

Ligji për pjesëmarrjen e të rinjve në politika rinore parasheh që çdo komunë të krijojë një Këshill Rinor që do t’u mundësojë të rinjve të kyçen në politika rinore.Ky ligj është miratuar në vitin 2020 dhe komunat kanë afat deri në vitin 2025 që të kenë të krijuar të paktën një Qendër Rinore.

Këshillat rinor lokal shërbejnë edhe për të motivuar rininë që të qëndrojnë në Maqedoninë e Veriut duke kontribuar për një jetë më të mirë.

Edhe pse komunat pretendojnë se rinia është prioritet i tyre, komuna e Çairit dhe Strugës përsëri nuk i formuan Këshillat Rinor Lokal që janë në interes të të rinjve, madje edhe nga komuna e Çairit nuk përgjigjen në pyetje gazetareske për këtë çështje.

Komuna e Çairit, në tetor të vitit 2023 për Portalb.mk tha se janë në bisedime me përfaqësues të sektorit civil dhe organizata ndërkombëtare për themelimin e Këshillit Rinor Lokal edhe se fillimisht do të krijohet këshilli nismëtar që do të përzgjedhë Këshillin Rinor. Në fund të muajit nëntor të vitit 2023, Komuna e Çairit ishte ende po në të njëjtën fazë. Ndërsa tani nga komuna nuk kthejnë përgjigje.

Komuna e Strugës gjithashtu ende nuk e ka formuar Këshillin Rinor, mirëpo ata informuan se janë në proces të formimit të këshillit nismëtar dhe se deri në muajin mars do të formohet këshilli rinor.

“Për momentin vijon formimi i një komisioni të kombinuar me anëtarë të Këshillit dhe Komunës për shpalljen e thirrjes për anëtarë të këshillit iniciues. Procedura e zgjedhjes dhe formimit të Këshillit Lokal Rinor duhet të ketë mbaruar deri në muajin mars”, thanë nga komuna e Strugës.

Sa i përket pyetjes a kanë gjetur hapësirë për Zyrë Rinore, nga Komuna e Strugës thanë se janë në kërkime për gjetjen e hapësirave për zyrën e nëpunësit për të rinjtë.

“Në pajtim me udhëzimet për përcaktimin e hapësirave adekuate, po bëhen kërkime për gjetjen e hapësirave për zyrën e nëpunësit për të rinjtë dhe KLR-së” , thanë nga komuna e Strugës.

Sa i përket arsyes se përse është vonuar kaq shumë formimi i Këshillit Rinor Lokal, nga komuna thanë se për shkak të ndryshimeve të Statutit të Komunës së Strugës është vonuar edhe formimi i këshillit.

“Para fillimit të procesit nevojitej të bëhen ndryshime të Statutit të Komunës së Strugës në pajtim me ndryshimet e Ligjit të ri për pjesëmarrjen e të rinjve dhe politikat rinore, për këtë arsyje procesi i formimit të Këshillit është prolonguar”, thanë nga komuna e Strugës.

Nga komunat me shumicë shqiptare që kanë këshill rinor funksional është Tetova me kryetare Elma Sherifi, i formuar në shkurt të vitit 2023 dhe Gostivari, me kryetar Leutrim Bilalli, i formuar në qershor të vitit 2023.

Komuna e Kërçovës në dhjetor hapi shpallje për anëtarësim në Këshillin Rinor, mirëpo nëntë anëtarët e këtij këshilli rinor ende nuk janë përzgjedhur sepse siç informuan nga komuna duhet të kalojnë në Këshill.

Komuna e Dibrës më 4 janar të këtij viti ka hapur shpallje publike për të  formuar Këshillin nismëtar prej pesë anëtarësh që do të jetë përgjegjës për të zgjedhur anëtarët e Këshillit Rinor. Tashmë pritet që të përzgjidhen anëtarët e Këshillit nismëtar dhe të formohet Këshilli Rinor i Dibrës.

Që Këshillat Rinor Lokal të kenë një trup këshillëdhënës me të cilin ata do të mund të komunikojnë me institucionet, Agjencia për Rini dhe Sport duhet gjithashtu të krijojë një Këshill Rinor si një trup këshillëdhënës për rininë. Agjencia për Rini dhe Sport në janar të vitit 2024 bëri shpallje publike deri te organizatat rinore dhe organizatat për të rinjtë që të aplikojnë për përfaqësues në këshill.

Përndryshe, me miratimin e Ligjit për Pjesëmarrjen e të rinjve në Politika Rinore në vitin 2020, të gjitha komunat janë të obliguara me ligj të kenë të formuar një Këshill Rinor Lokal, të kenë ndarë një Zyrë Rinore, Qendër Rinore, por edhe Strategji Lokale.