RMV, ende nuk janë ndarë vauçerët për inverterë për të cilat qytetarët aplikuan në muajin shkurt

Qytetarët ende nuk i kanë marrë vauçerët për inverter që kanë aplikuar në muajin shkurt. Kanë kaluar gjashtë muaj, Ministria e Ekonomisë nuk i ka përfunduar kontrollet dhe nuk janë bërë listat e qytetarëve që do të marrin vauçerë prej 23.000 denarë për blerjen e inverterëve. Nuk dihet as se nga cilat kompani do të jenë në dispozicion inverterët pas shpërndarjes së vauçerëve.

SDK i dërgoi pyetje kabinetit të ministrit të ri të Ekonomisë, Besar Durmishit, nëse ky projekt do të realizohet dhe kur, duke pasur parasysh se nuk ka asnjë informacion për të në opinion dhe nëse Qeveria e re do t’i shpërndajë vauçerët e shpallur nga Qeveria paraprake, pra ministri i atëhershëm Kreshnik Bekteshi.

Nga kjo Ministri janë përgjigjur se qytetarët do t’i marrin vauçerët.

“Paratë për inverter janë siguruar dhe do të shpërndahen. Janë siguruar fonde për rreth 8 mijë vauçerë për kondicionerë inverter dhe pas dy thirrjeve publike janë pranuar gjithsej 18.805 kërkesa. 14.500 aplikantë kanë paraqitur kërkesa për shpallje që nuk është për konsumatorë në nevojë, dhe 4.305 aplikantë kanë paraqitur kërkesa për shpallje për konsumatorët vulnerabël. Për momentin, komisionet për zbatimin e procedurave nga dy shpalljet për ndarjen e kuponëve po punojnë intensivisht në shqyrtimin e kërkesave të paraqitura, duke pasur parasysh numrin e madh të kërkesave të pranuara. Ndërkohë, Ministria e Ekonomisë dhe Punës, sipas detyrës zyrtare, kryen kontrolle me institucionet tjera përkatëse, si Ministria e Politikës Sociale, Demografia dhe Rinisë, Drejtoria e të Ardhurave Publike dhe ELEM Energetika për të gjitha kërkesat e pranuara”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë. 

Ata shtojnë se presin edhe ribalancimin e buxhetit për shkak të riorganizimit të ministrive.

“Me përfundimin e procedurës, menjëherë do të publikohet lista e aplikantëve që kanë ushtruar të drejtën për t’u pajisur me vauçer dhe do të fillojë lëshimi i kuponëve”, thonë nga Ministria e Ekonomisë.

Sipas njoftimit të publikuar në muajin shkurt, inverterët do të dërgohen me postë në adresën e shtëpisë dhe duhet të blihen dhe instalohen deri në nëntor, pra deri në fillim të sezonit të ngrohjes.