RMV, edhe institucionet shëndetësore do të punojnë pa ndërprerje gjatë takimit ministror të OSBE-së

Ministria e Shëndetësisë informon se vendimi që 29 dhe 30 nëntori të jenë ditë jopune për të gjithë të punësuarit në administratën shtetërore dhe publike në Shkup për shkak të mbajtjes së takimit të 30-të ministror të OSBE-së, nuk vlen për të punësuarit në institucionet shëndetësore, transmeton Portalb.mk.

“Kujdesi shëndetësor do të ofrohet në mënyrë të vazhdueshme dhe të pandërprerë për të gjithë pacientët si më parë, dhe nuk do të ndikojë në ofrimin e kujdesit shëndetësor për popullatën. Për shkak të mbajtjes së këtij takimi të rëndësishëm ministror, nga institucionet mjekësore kërkohet që të kenë ekipe mjekësore në gatishmëri dhe personel tjetër mjekësor me hapësirat dhe pajisjet e nevojshme për dhënien e ndihmës mjekësore, pra të jenë në gjendje gatishmërie me kapacitetet e tyre”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Subjektet juridike me veprimtari shëndetësore të vendosura në Shkup janë të detyruar të kryejnë masën e ndihmës së parë në përputhje me procedurat standarde operative të Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim.

Takimi i tridhjetë ministror i OSBE-së do të mbulohet 24 orë në ditë nga prania e ekipeve të ndihmës mjekësore emergjente.

Edhe MPB njoftoi se nesër dhe pasnesër (29 dhe 30.11.2023) kanë caktuar termine për fotografimin dhe ndërrimin e dokumenteve personale në Shkup, se pikat për dhënien e dokumenteve personale do të punojnë me orar të plotë, që do të thotë se terminet e planifikuara do të realizohen.

Takimi i ministrave të punëve të jashtme të Organizatës së Sigurisë dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) do të mbahet më 30 nëntor dhe 1 dhjetor në Shkup.

Këshilli Ministror i OSBE-së është ngjarja më e madhe në historinë e Maqedonisë së Veriut si për nga dimensioni ashtu edhe për nga rëndësia për vendin. Në Këshillin Ministror pritet të marrin pjesë 76 delegacione të shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe partnerëve, të përfaqësuar në nivel të ministrave të jashtëm ose më shumë se 1000 përfaqësues të delegacioneve.