RMV, do të përgatitet Agjenda reformuese 2024-2027, e cila do të dërgohet te Komisioni Evropian

Qeveria, me propozim të Sekretariatit për Çështje Evropiane, e shqyrtoi dhe miratoi Informatën për statusin e përgatitjes së Agjendës reformuese 2024-2027, në suazat e Planit për rritje të vendeve të Ballkanit Perëndimor. U ngarkuan institucionet kompetente të finalizojnë projekt – agjendën reformuese 2024-2027, e cila mandej do të dërgohet te Komisioni Evropian, transmeton Portalb.mk.

Siç njoftuan nga Qeveria, Agjenda reformuese paraqet një pako gjithëpërfshirëse të masave për arritjen e qëllimeve të parapara, është parashikuar pagesë dy herë në vit, ndërsa pagesat, siç sugjeruan nga Sekretariati i Çështjeve Evropiane, janë të kushtëzuara me realizimin e hapave kualitative dhe kuantitative të ndërlidhura me masat për periudhën prej 2024-2027.

Për Maqedoninë e Veriut, fushat me prioritet që janë dakorduar me KE-në kanë të bëjnë me:

  • Administrim/ Reformë e administratës publike dhe Menaxhimi i financave publike
  • Tranzicioni Digjital, Energjetik/ I gjelbër
  • Kapitali njerëzor
  • Ambienti afarist
  • Sundimi i të drejtës

“Në Agjendën reformuese do të duhet të përcaktohen edhe prioritetet për investimet infrastrukturore (përmes WBIF), të cilat do të duhet të jenë për:  transportin, energjetikën, transformimin digjital dhe kapitalin njerëzor, që janë të pranueshme për financim përmes Mekanizimit të planit të rritjes”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.

Kujtojmë se, Parlamenti dhe Këshilli Evropian kanë miratuar qëndrimet për Reformën dhe Planin e Zhvillimit të Ballkanit Perëndimor, ndërsa pritet që deri në fund të muajit prill të përfundohet procedura për miratimin e kësaj rregullative që do t’u mundësojë vendeve të rajonit qasje në instrumentin e ri financiar me vlerë prej 6 miliardë euro që do të financojë zbatimin e reformave, të ngjashme me instrumentet në dispozicion të shteteve anëtare.