RMV, do të ketë butona urgjence dhe transport për personat në nevojë

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti dhe sekretari i përgjithshëm i Kryqit të Kuq të RMV-së, Sait Saiti sot nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi për krijimin e shërbimeve inovative shëndetësore dhe sociale sipas nevojave të grupeve të ndryshme të synuara të popullsisë, dhe përfshirjen e tyre në sistemet e kujdesit shëndetësor dhe social, raporton Portalb.mk.

Prej aktiviteteve që planifikohen të realizohen, dy më të rëndësishmet janë mundësimi i butonave të urgjencës si dhe transport i dedikuar për personat që nuk janë në rrezikshmëri jete por që nuk mund të sigurojnë transport deri te shërbimet shëndetësore, sociale ose shërbime tjera administrative për shkak të pleqërisë, sëmundjes ose vështirësive në lëvizje.

“Ky memorandum do të japë një kontribut të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit tonë me Kryqin e Kuq dhe përfitimin më të madh do ta ndjejnë qytetarët. Do të punojmë në aktivitete të ndryshme të rëndësishme që do t ‘u mundësojnë qytetarëve të marrin mbështetje dhe edukim shtesë për tema të ndryshme, duke përfshirë rëndësinë e ndihmës së parë të duhur dhe në kohë dhe parandalimin e sëmundjeve infektive dhe jo-ngjitëse akute dhe kronike, “tha Mexhiti në takim.

Sipas memorandumit, të dyja palët do të zhvillojnë aktivitete që kontribuojnë në rritjen e ndërgjegjësimit për dhurimin e gjakut, promovimin e aktiviteteve sociale dhe humanitare, si dhe gatishmërinë për reagim ndaj fatkeqësive.