RMV, “Arhirodoni” grek hoqi dorë nga ndërtimi i Çebrenit

Një tjetër tender për Çebrenin dështoi. Kompania greke Arhirodon nuk ka zgjatur garancinë bankare që ka skaduar më 31 dhjetor, njoftohet nga Ministria e Mjedisit për Kanal 5, transmeton Portalb.mk.

Nga sot ekipet në ministri janë duke analizuar hapat e ardhshëm, ndërsa më shumë detaje paralajmëruan për nesër.

Qeveria njoftoi me shumë eufori dhe optimizëm se pikërisht ata do të jenë ekipi që do të ndërtojë projektin dhjetëvjeçar. Më 15 shtator, morën vendim për zbatimin e projektit si partneritet publik-privat.

“Më në fund këtë vit, pas 13 tenderëve të pasuksesshëm, kemi zgjedhur një ofertues të gatshëm për të investuar në këtë projekt të madh”, tha kryeministri Dimitar Kovacevski.

“Është shumë mirë që pas 32 viteve të pavarësisë filluam të numërojmë ditët për diçka që është vërtet e rëndësishme për qytetarët”, tha Fatmir Bytyqi, Zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike.

Sipas përllogaritjeve, projekti do të kushtonte 1 miliard euro, paratë do të investoheshin nga koncesionari, ndërsa shteti do të merrte pjesë me 33% të pronësisë dhe do t’ia jepte TEC Tikvesh si aksion Çebren të niste me punë.

Vendimi ngriti në këmbë të gjithë komunitetin e ekspertëve. Ata organizuan protesta dhe dërguan peticion në disa institucione, përfshirë presidentin e vendit, për të ndaluar projektin. Sipas tyre, vendi ka kapacitete që ta ndërtojë vetë dhe të mos lejojë të huajt të menaxhojnë me vite ujin dhe rrymën tonë.

Llogaritjet treguan se në këtë mënyrë shteti do të humbasë miliona euro dhe nëse e ndërtojmë vetë do ta kthejmë investimin pas disa vitesh dhe përveç kësaj, Maqedonia do të përfitojë nga shitja në berzë e energjisë së tepërt të prodhuar.

Por qeveria nuk hoqi dorë nga ideja. E ndërsa afatet e nënshkrimit të kontratës për krijimin e një sipërmarrjeje të përbashkët me EMV po mbaronin, kompania greke ka bërë denoncim pasi sipas tyre kushtet e tenderit nuk ishin të njëjta me vendimin e qeverisë. Pra, në muajin e fundit të vitit të kaluar, optimizmi për realizimin përfundimtar të projektit dhjetëvjeçar filloi të bjerë edhe tek qeveria.

“Nëse kompania pranon kushtet në thirrjen publike ka kohë deri më 31 dhjetor dhe nëse nuk pranon, sigurisht që do të aktivizohet garancia bankare, sepse është dhënë sipas kritereve fillestare kur ka qenë thirrja publike“, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Sipas projektit të qeverisë: Hidrocentrali Cërna Reka duhet të ketë kapacitet prej së paku 333 megavat. Çebren të prodhojë energji elektrike dhe të ketë një mënyrë pompimi dhe kthimi të ujit, që do të nënkuptojë gjithashtu krijimin e një liqeni të ri artificial më të madh. Diga duhet të jetë 192 metra e lartë dhe projekti i përgjithshëm duhet të ndihmojë gjithashtu në ujitjen e sipërfaqeve bujqësore dhe mbrojtjen nga përmbytjet.