Një grup inxhinierësh të pakënaqur nga vendimi që koncesioni për hidrocentralin e Çebrenit t’i jepet një kompanisë greke

Me vendosjen e shisheve me ujë, një grup i inxhinierëve sot e kanë shprehur pakënaqësinë e tyre dhe kundërshtimin e vendimit qeveritar për dhënien e koncesionit për shfrytëzim të ujit të “Crna Reka” për prodhimin e energjisë elektrike kompanisë greke “PPC-Arhirodon”, transmeton Portalb.mk.

Inxhinierët janë mbledhur në disa qytete, në mesin e të cilave edhe në Shkup te Ura e Gurit dhe në Manastir te sheshi “Magnolija”.

Në tubime kanë kërkuar që të rishqyrtohet dhe të tërhiqet, siç thanë, vendimi i dëmshëm. Ata shtuan se janë të përgatitur për debat të hapur që t’i konforntojnë qëndrimet e atyre që e kanë përgatitur dhe miratuar vendimin për koncesion.

“Është e patolerueshme që të diskutohet dhe bëhet marrëveshje me çfarëdo kompani të huaj për ndarjen e koncesionit për shfrytëzim të ujit të “Crna Reka” për prodhimin e energjisë elektrike. Mu hidrocentrali “Çerben”, i cili patjetër duhet që të jetë maqedonase dhe Maqedonia duhet të jetë investitor i saj, është projekti më i madh dhe më i rëndësishëm energjetik nga pavarësia e Maqedonisë. Kapaciteti i instaluar minimal prej 33MW duhet që të mundësojë që Maqedonia të mbetet në masë të madhe e pavarur energjetikisht pas vitit 2028, kur për shkak “Tranzicionit të gjelbër” duhet të ndalojë të punojë TEC Osllomej dhe TEC Manastir”, thuhet në kumtesën e grupit të inxhinierëve.

Kur Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor informoi për koncesionin e dhënë muajin e kaluar dhe për zgjedhjen e “ofertuesit më të mirë”, gjegjësisht kompaninë greke, njoftuan se hidrocentrali Çerben është parashikuar që të prodhojë energji elektrike, por edhe regjim të pompimit dhe kthimit të ujit mbrapa me çka në lumin Crna Reka është parashikuar që të krijohet pishinë artificiale, e cila do të jetë më i madhi në vendin tonë.

“Ky projekt energjetik është me rëndësi të jashtëzakonshme për tranzicionin energjetik të vendit dhe rajonit, për shkak të mundësisë për balancim të burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Njëkohësisht, ndërtimi i këtij hidrocentrali, do të kontribuojë edhe në mbrojtjen nga vërshimet, por edhe për furnizim me ujë”, kumtuan nga Ministria e Mjedisit Jetësor.