RMV, anëtarja e komisionit ka marrë vendim për t’i ndarë para orkestrës së saj
Ministria e Kulturës nuk sheh konflikt interesi
Kompozitorja Valentina Vellkovska-Trajanovska është gjendur në situatë që të jetë në të dyja anët e vendimit për t’i dhënë orkestrës së harqeve “Ajga” rreth 10.000 euro si mbështetje nga Ministria e Kulturës dhe e Turizmit për projektin muzikor të quajtur “Mall”, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.
Ajo ka qenë anëtare e komisionit që e ka marrë vendimin edhe krahas faktit që ka qenë themeluese e shoqatës “Ajga”, dhe kjo është dokumentuar në njoftimet e Ministrisë dhe të dhënat nga Regjistri Qendror.
BIRN kërkoi me ngulm, por nuk mori informacion nga Vellkovska–Trajanovska lidhur me atë se si ka vepruar ajo gjatë procesit të vendimmarrjes, pra nëse është tërhequr nga votimi për të shmangur një konflikt të drejtpërdrejtë interesi.
Por, ministri i kulturës dhe turizmit, Zoran Ljutkov, reagoi ashpër ndaj pyetjeve lidhur me këtë temë.
Kur fillimisht e pyetëm nëse në rastin në fjalë kishte konflikt interesi, ai tha se sipas dokumenteve të dorëzuara në ministri emri i Vellkovska–Trajanovskës nuk shfaqet në dokumentet e dorëzuara për “Ajga”-n, por kontrolli ynë shtesë nxorri në pah se kjo gjë nuk është e vërtetë.
Sipas kushteve për pjesëmarrje në konkursin e Ministrisë nga çdo shoqatë kërkohet të dorëzojë dokument mbi gjendjen e saj aktuale, të cilin e lëshon Regjistri Qendror.
Ndërsa Vellkovska–Trajanovska është një nga pesë themeluesit, emrat e të cilëve qëndrojnë në këtë dokument që nga themelimi i saj deri më sot.
Qëndrimi i ministrit Ljutkov sot është diametralisht i kundërt me atë të kohës kur ai ishte në opozitë.
Tani ai komentoi se pyetjet janë në nivelin e “teknikaliteteve”, ndërsa gjatë kohës që ishte në opozitë nga foltorja partiake e VMRO-DPMNE-së ai merrej deri në detaje me projektet e Ministrisë dhe i akuzonte ashpër ata se ndanin para sipas linjave partiake.
Pyetje pa përgjigje
Vellkovska–Trajanovska është kompozitore, profesoreshë në Akademinë e Muzikës në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip dhe para pak kohe është zgjedhur për kryetare të Unionit të Kompozitorëve të Maqedonisë (SOKOM).
Në profilet e saj në rrjetet sociale ajo vazhdimisht e ka promovuar punën e shoqatës. Përndryshe shoqata “Ajga” në vitin 2022 është regjistruar në të njëjtën adresë si SOKOM.
Në vitin 2023 për Slloboden Peçat ajo shpjegoi se orkestrën e harqeve e kanë formuar për ta mbushur boshllëkun në skenën muzikore pas shuarjes së disa ansambleve të tilla.
Orkestra e harqeve ishte edhe pjesë e delegacionit shtetëror që e përfaqësoi Maqedoninë në Panairin Botëror EXPO 2025 në Osaka të Japonisë, ndërsa këto ditë ka njoftime për një koncert të “Ajga”-s në muajin dhjetor bashkë me Igor dhe Ana Durllovski.
Orkestra “Ajga” edhe në vitet e mëparshme ka marrë para nga Ministria, por ajo që e bën mbështetjen e këtij viti të dyshimtë është se Vellkovska-Trajanovska ishte anëtare e komisionit që mori vendimin për këtë dhe nuk ka shpjegim se si ka votuar ajo.
Në të njëjtën datë në prill të këtij viti Vellkovska-Trajanovska dhe dy anëtarët e tjerë të komisionit të muzikës dhe skenës muzikore morën pagesa prej rreth 2.000 eurosh nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit.
Kur e kontaktuam atë dy javë më parë ajo na kërkoi që pyetjet tona t’ia dërgonim me shkrim. Përgjigje nuk morëm, ndërsa ajo i injoroi të gjitha telefonatat dhe mesazhet pasuese.
Ligji për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit konfliktin e interesit e definon si “një situatë në të cilën zyrtari ka interes privat që ndikon ose mund të ndikojë në ushtrimin e paanshëm të kompetencave të tij publike ose detyrave zyrtare”.
Ndërsa sipas Ligjit për Kulturë udhëheqësi i projekti nuk mund të jetë njëkohësisht anëtar i komisionit që vendos për ndarjen e fondeve.
Anëtarët e komisioneve dorëzojnë një deklaratë me shkrim ku thuhet se nuk kanë konflikt interesi në lidhje me aplikimet e pranuara.
Sipas listave të publikuara në uebfaqen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, këtë vit komisionet kanë tre anëtarë.
Për shkak të qëndrimit të Ministrit Ljutkov, i cili u nevrikos nga telefonatat dhe pyetjet e gazetarëve, ndër të tjera ne nuk arritëm të zbulonim se si u zgjodhën anëtarët e komisionit dhe për procedurat për verifikimin e të dhënave në aplikime.
Rëndësia e konkurseve
Konkurset vjetore janë posaçërisht të rëndësishme për ansamblet e vogla dhe organizatat e ngjashme kulturore, sepse në vendin tonë audienca dhe tregu janë të vegjël. Pra, shoqata të tilla nuk mund të mbijetojnë pa ndihmë nga shteti.
Aplikimet për projekte të tilla dorëzohen në formë elektronike, e pastaj shqyrtohen nga anëtarët e komisionit. Muajin e kaluar ishte afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve për vitin 2026.
Rezultatet zakonisht shpallen në fund të muajit janar ose në fillim të muajit shkurt.
Buxheti i përgjithshëm për Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit për këtë vit për aktivitete muzikore dhe skenike është rreth 26 milionë denarë, ose rreth 420 mijë euro.
Por, pas konkursit shumë shpesh ka pakënaqësi sepse Ministria pranon me mijëra aplikime, ndërsa fondet janë të kufizuara.
Shembujt e këtillë të konflikteve evidente të interesit, si dhe refuzimi si i Vellkovska-Trajanovskës ashtu edhe i ministrit Ljutkov për të dhënë përgjigje për këto pyetje themelore, për fat të keq vetëm sa i ushqejnë edhe më shumë dyshimet lidhur me legjitimitetin dhe transparencën e konkurseve.