Rikthimi i dhunës në fushat e sportit në Maqedoninë e Veriut, Federata pezulloi edhe një stadium, Policia takim me ekipet
Në Maqedoninë e Veriut për shkak dhunës në fushat e futbollit, Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM) gjatë kësaj jave ka suspenduar dy stadium, ndërsa sot vendosi pezullimin e stadiumit të Kumanovës, transmeton Portalb.mk.
“Komisioni i Garave të FFM-së në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për PEZULLIM të stadiumit “BASHKIMI” Kumanovë për shkak të pranisë së personave jozyrtarë në fushë menjëherë pas përfundimit të ndeshjes në kuadër të xhiros së katërt të Ligës së Dytë ndërmjet skuadrave të KF Bashkimi – FC Bellasica”, njoftoi Federata
Ndeshja ishte luajtur më 25 shtator, ndërsa vendimi do të hyn në fuqi menjëherë, ndërsa do të jetë i vlefshëm deri në marrjen e një vendimi të ri.
Federata këtë javë ka anuluar edhe stadiumin e Kavadarit dhe Negotinës, si masa sigurie pas parregullsive që kanë ndodhur pas nisjes së sezonit 2024/25.
Policia e Maqedonisë së Veriut për të shmangur problemet e këtilla në sport, më 25 shtator ka organizuar takim me përfaqësuesit e ekipeve të basketbollit në Shkup. Në takim u diskutua për hapat e përbashkët me Federatën e basketbollit në lidhje me shmangien e dhunës në ndeshjet sportive.
Për herë të parë në këtë sezone, gjysma e ekipeve në Ligën e Parë janë ekipe shqiptare, gjashtë nga dymbëdhjetë ekipet: Struga, Shkupi, Shkëndija, Gostivari, Voska dhe Besa e cila tani është inkuadruar.
Kampioni i Ligës së Parë në sezonin 2023/24 në Maqedoninë e Veriut u shpall Struga Trim&Lum, pasi në javët e fundit u zhvillua një garë e ngushtë së bashku me Shkëndijën dhe Shkupin. Në garën për fitues në Kupën e Maqedonisë, Tikveshi ka fituar kundër ekipit të Voska Sportit.