Rikonstruimi i Stadiumit të Tetovës: Tribuna e parë pritet të jetë gati në vjeshtë
Ndonëse kanë kaluar më tepër se një vit që nga fillimi i punimeve për rikonstruimin e Stadiumit të Tetovës, tribuna e parë pritet të jetë gati në vjeshtë të këtij viti, ndërsa sipas kontratës stadiumi pritet të jetë gati në vitin 2027, shkruan Portalb.mk.
Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami theksoi se punimet vazhdojnë, ndërsa premtimi i operatorit që realizon punimet është që deri në vjeshtë tribuna që është duke u punuar, të përmbyllet dhe të vazhdojë me punë në tribunën e radhës.
“Deri në vjeshtë besoj se do të mbyllet tribuna e parë, në bazë të projektit diku brenda tre viteve duhet të dorëzohet me çelësa në dorë stadiumi, nga nisja e punimeve në terren”, tha Kasami.
Si shumë projekte të tjera, edhe ky ka marrë kritika nga opozita në këshillin komunal.
Aktivitetet e para për ndërtimin e stadiumi të qytetit filluan gjatë muajt prill 2024.
Kontrata për stadiumin e qytetit u nënshkrua me 18.03.2024 nga ana e NP ‘Tetova Transport’ dhe Shoqërisë për tregti dhe shërbime ‘E-Property’, pronar i së cilës sipas të dhënave që Portalb.mk siguroi nga Regjistri Qendror është Nazif Destani, djali i biznesmenit, Lazim Destani.
Vlera e kontratës së punimeve është 599.931.520 denarë (rreth 9.7 milionë euro), ndërsa vlera e TVSH-së është e shprehur veçmas në vlerë prej 107.987.673 denarë.
Me projektin janë të parapara edhe Qendra Sportive dhe Rekreative e qytetit si dhe terreni sportiv në fshatin Saraqinë.
Sipas kontratës, punimet duhet të mbarojnë brenda tre viteve nga data e hyrjes në punë të kontraktuesit pas lidhjes së kontratës.
- LEXO: Punimet për stadiumin e Tetovës në “pushime”, këtë javë pritet dhënia e lejes së ndërtimit
- LEXO: Kushtetuesja e hodhi poshtë nismën e Qeverisë së kaluar për stadiumin në Tetovë
- LEXO: Qeveria i ka ndërprerë punimet për stadiumin e Tetovës
- LEXO: Filluan aktivitetet për stadiumin e Tetovës, Kasami: Do ndërtohet stadium i ri, pritet të jetë gati për tre vjet