Renis Hyka triumfoi në Berlin: Sfidat që ka kinematografia nuk duhet të jenë demoralizuese për të rinjtë, duhet parë gjithmonë mundësia
Vetëm pak ditë pasi u shpall fitues i çmimit “The Dream Makers” në edicionin e 76-të të Berlin International Film Festival, regjisori shqiptar Renis Hyka ende e përshkruan atë moment si një përzierje emocionesh: entuziazëm, hutim dhe krenari. Fitorja, sipas tij, nuk është thjesht një vlerësim personal, por edhe një sinjal i rëndësishëm për një kinematografi që ka kaluar një tranzicion të gjatë dhe të vështirë, dhe që sot po kërkon të ndërtojë identitetin e saj përmes një komuniteti artistik e jo vetëm përmes emrave të veçuar. Në intervistë për Portalb.mk, Hyka foli për projektin fitues “Dita e parë”, për temat universale që trajton filmi, për rëndësinë e prodhimit nga Studio Babelsberg, si dhe për përvojën në Berlinale Talents, sfidat e kinemasë shqiptare dhe mundësitë e reja për autorët e rinj nga Ballkani në një industri që po ndryshon me shpejtësi.
Portalb.mk: Si e përjetuat momentin kur u shpallët fitues i “The Dream Makers” në edicionin e 76-të të Berlin International Film Festival dhe çfarë do të thotë kjo fitore për ju personalisht?
Renis Hyka: Kur kanë kaluar veçse pak ditë më duhet ende të reflektoj për të kuptuar emocionet që i përgjigjen atij momenti të veçantë, si një përzierje midis entuziazmit, hutimit dhe krenarisë. Çdo lloj vlerësim që i bëhet punës, sidomos asaj pune ku ke përfshirë pasionet e tua është një nderim që të motivon, diçka për të cilën çdo artist ka nevojë.
Portalb.mk: Çfarë përfaqëson ky çmim për kinemanë shqiptare dhe a mendoni se hap më shumë dyer për kineastët shqiptarë në skenën ndërkombëtare?
Renis Hyka: Tranzicioni politik i Shqipërisë i pas viteve 90’, ka qenë një tranzicion i vështirë edhe për kulturën në përgjithësi. Siç dihet në vendet ku fuqia ekonomike është e brishtë, hapësirat për mbështetjen e artit është e kufizuar, dhe këto mungesa vihen re përditë, si në kinema apo fusha të tjera. Por së fundmi, ka një lëvizje të pozitive ku regjisorë apo dhe artistë të tjerë po mundohen të dalin në sipërfaqe pas një periudhe, duhet thënë jo të mirë. Kam besuar dhe e besoj që arti që të njohë zhvillim duhet të vijë si lëvizje, si komunitet artistik, e jo si individ, jo me emra të përveçëm. Dhe kjo arrije e vogël dhe të tjera më herët shpresoj që keni atë ndikimin, që pak nga pak të krijojmë edhe ne identitetin tonë kulturorë përfaqësues. Gjithashtu shpresojmë që mbështetja edhe nga institucionet përkatëse të rritet, sepse kinemaja duam apo s’duam, është arti i kushtueshëm.

Portalb.mk: Na tregoni më shumë për projektin fitues: idenë, tematikën dhe çfarë e bën atë të veçantë?
Renis Hyka: Projekti “Dita e parë” është një metaforë për shoqërisë e çdo kohe, për marrëdhëniet me njëri-tjetrin, për dëshirat dhe ëndrrat, për idenë e rrejshme të perfeksionit. Këto tema janë të përgjithshme por janë të kanalizuara në ngjarjen e një çifti në kërkim të diçka që ata mendojnë që do i ndryshojë jetën, por ajo çfarë gjejnë është një lloj katalizatori për emocionet e tyre.
Portalb.mk: Sa e rëndësishme është që projekti do të prodhohet nga Studio Babelsberg dhe si pritet të ndikojë kjo në zhvillimin e mëtejshëm të karrierës suaj?
Renis Hyka: Kjo është përgjegjësi dyfishtë, por edhe një mundësi e mirë për të mësuar më tepër, për të punuar edhe më shumë. Dihet që kinemaja është një art kolektiv dhe shpresoj të di të marr sa më tepër nga kjo përvojë. Më pas filmi le të ketë rrugëtimin e vet që do meritojë.
Portalb.mk: Si ishte përvoja juaj në Berlinale Talents dhe sa ndikoi mentorimi ndërkombëtar në formësimin e projektit?
Renis Hyka: Berlinale Talents si inkubator i të rinjve nga e gjithë bota në fushën e gjerë të kinemasë vlen për të krijuar lidhjet e nevojshme që industria e filmit e ka të domosdoshme. Të ndash përvojat me të rinj të talentuar ndikon patjetër në krijimin e perspektivave të reja dhe ndihmon në formësimin artistik. Për sa i përket monitorimit, mund të them që ka qenë në masën e duhur për të përmirësuar atë që mund të përmirësohet pa i humbur origjinalitetin e regjisorit.

Portalb.mk: Si e shihni gjendjen aktuale të kinematografisë shqiptare dhe cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballen sot regjisorët e rinj?
Renis Hyka: Sfidat që ka kinematografia nuk duhet të jenë demoralizuese për të rinjtë, duhet parë gjithmonë mundësia, dhe jo vështirësia. Përherë kinemaja ka pasur, ka dhe do ketë sfida të formave të ndryshme. Kinemaja ka ditur ta gjej rrugën edhe në regjime totalitare, edhe në luftëra e momente të tjera të errëta. Në sot nuk jemi në këto, jemi shumë më mirë sesa ç’kanë qenë kineast të mëdhenj të kohë të vështira. Udhëtimi e kineastit nuk ka rrugë të shkurtëra, por veç përkushtimin e duhur. Ajo që mendoj se është urgjente për kinemanë tonë është krijimi i marrëdhënies me publikun. Publiku i munguar në kinema është kriza që duhet tejkaluar sa më shpejt dhe për këtë duhet të luftojmë të gjithë.
Portalb.mk: Në një kohë kur industria e filmit po ndryshon me shpejtësi (platforma digjitale, financimi, tregu global), cilat mendoni se janë sfidat dhe mundësitë më të mëdha për autorët e rinj nga Ballkani?
Renis Hyka: Është e vërtetë që industria e filmit ecën me hap vërtetë të shpejtë, por siç ka edhe vështirësitë e veta, ka edhe mundësitë. Mos harrojmë që globalizimi i industrisë e bën tregun e hapur për të gjithë, dhe kjo konkurrencë ndërkombëtare do të thotë të jesh i gatshëm për përmirësim të vazhdueshëm.
Rasti i im ishte një rast i tillë. Në aplikimin fillestar ishin të rinj nga 58 vende të ndryshme, dhe 6 finalistët vinin nga një shtrirje gjeografike të larmishme si Korea e Jugut, Irani, Serbia, Anglia, Peruja dhe unë nga Shqipëria. Pra gjithmonë duhet punuar me besim për të fituar dhe pa demoralizime pas refuzimeve apo dështimeve, që janë pjesë e lojës por jo fundi i historisë.
