Regres: Gratë edhe në qeverinë e Mickoskit mbetën të lëna anash, asnjë grua shqiptare ministre

Gratë edhe në qeverinë e sapoformuar të Maqedonisë së Veriut do të jenë minimalisht të përfaqësuara në ekzekutiv. Me ndryshimet në riorganizimin e Qeverisë, kjo përbërje do të ketë më tepër ministra që së bashku me kryeministrin do të jenë 24, megjithatë vetëm tre gra do të jenë ministre, asnjëra nuk është shqiptare. Partitë heshtin, ndërsa shoqëria civile vazhdon të apelojë të zgjidhet problemi, shkruan Portalb.mk.

Kjo qeveri edhe pse me më shumë ministra, do të ketë më pak gra ministre në krahasim me qeverinë paraprake ku ishin 4 gra ministre.

Premtuan por nuk realizuan

VMRO-DPMNE premtoi përfaqësim adekuat të grave në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Mbrojtjes dhe institucionet e tjera nga sektori i inteligjencës-sigurisë do të garantojë respektimin e vërtetë të parimeve të barazisë gjinore.

Ndërsa VLEN premtoi përfshirjen e grave në të paktën 40% të të gjitha pozicioneve të emëruara, në të gjitha nivelet.

Pavarësisht premtimeve për barazi dhe përfaqësim më të madh gjinor, kur erdhi puna te zgjedhja e ministrave, partnerët e kësaj qeverie e lëshuan bajrakun.

Gratë në qeverinë në krye me Hristijan Mickoskin do të drejtojnë këto ministri:

  • Gordana Dimitrieska Koçoska – Ministria e Financave
  • Sanja Bozhinovska – Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale
  • Vesna Janevska – Ministre e Arsimit dhe Shkencës

Partneri shqiptar në këtë qeveri, koalicioni VLEN edhe pse do të udhëheqë me gjashtë ministri, nuk ia ka besuar asnjë gruaje postin e ministres.

Portalb.mk u drejtua te të gjithë partitë dhe koalicionet e Kuvendit të RMV-së për këtë përfaqësim kaq të ulët të grave në ekzekutiv, përveç koalicionit VLEN nga partitë tjera nuk u përgjigjën.

Nga VLEN thanë se i kushtojnë vëmendje të jashtëzakonshme barazisë gjinore në kuadër të të gjitha partive-anëtare të koalicionit.

Ne nuk jetojmë me iluzionin se gratë do të përfaqësohen në qeverinë e ardhshme në përputhje me angazhimet tona ideologjike. Do të jenë tre zëvendësministre gra dhe një ose më shumë gra në detyrë drejtoresha të përgjithshme, kuadro të VLEN-it. Jo sepse nuk besojmë në aftësinë e tyre për tu përballuar me sfidat, por sepse në shpërndarjen e detyrave të para në organet legjislative dhe ekzekutive që janë në juridiksionin e VLEN-it, u emëruan 3 nga liderët”, thanë nga VLEN.

Deputetët e VLEN-it. Foto nga profili i Arben Taravarit në Facebook
Deputetët e VLEN-it. Foto nga profili i Arben Taravarit në Facebook

VLEN ka vetëm pesë deputete.

Ata shtuan se në periudhën e ardhshme do të bëjnë “përpjekje të jashtëzakonshme për të balancuar këtë situatë”, veçanërisht në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Shoqëria civile e dëshpëruar

Ky është një rezultat i bindjes akoma vështirë të ndryshueshme se ndryshimet rrënjësore kërkojnë burra. Kështu thotë për Portalb.mk Pranvera Kasami, drejtoresha e Institutit për Lidership dhe Politika Publike.

“Përfaqësimi nga gratë “lejohet” vetëm atëherë kur bëhet fjalë për “luks”- gjegjësisht kur partia ka garanca se do të fitojë me komoditet zgjedhjet, atëherë i lejon vetes të sigurojnë përfaqësim më të madh në numër nga gratë. Kjo ndodh vetëm në emër të gjoja sjelljes së risive në zgjedhje. Megjithatë, siç dihet, këto zgjedhje ishin të rëndësisë ekzistenciale për çdonjë nga garuesit dhe ky luks vështirë se mund të lejohej. Sigurisht, zgjedhësit blejnë atë çfarë u shitet”, tha Pranvera Kasami.

Ajo shtoi se është për të ardhur keq se edhe pas dekadash, vazhdojmë flasim pa rezultat për rëndësinë e angazhimit të grave në politikë me efekt vend-numëro.

Nga ana tjetër, Qendra për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja” vlerëson se kjo përbërje qeveritare por edhe e kuvendit ka shënuar hapa prapa. Ata besojnë se kuotat gjinore jo domosdo janë politika më e mirë për një shtet, por kështu siç shkojnë punët, kjo del të jetë praktika e vetme që do t’i jepte përfaqësimit gjinor siguri, pa marrë parasysh çfarë mendjesh të prapambetura dhe regresive vijnë nesër në pushtet.

“Na thanë se është në proces përgatitja e ligjit për përfaqësim të drejtë etnik, propozojmë që në këtë ligj të përfshihet edhe përfaqësimi i drejtë gjinor, ne s’kërkojmë asgjë më shumë se sa atë që e kanë premtuar partitë qeverisëse në programet e tyre zgjedhore, në këtë rast, koalicioni VLEN. Rikujtojmë edhe premtimin për hapjen e 10 qendrave për gratë e dhunuara”, thanë nga Mollëkuqja.

Kujtojmë se pas zgjedhjeve parlamentare të majit, vetëm 41 gra u zgjodhën deputete (33 maqedonase, 8 shqiptare), që është më pak se përbërja e kaluar. Megjithatë, ky numër pritet të rritet për shkak se disa deputetë kanë marrë funksionin e ministrave.

Maqedonia e Veriut në vitin 2024 për herë të parë në histori zgjodhi për presidente një grua, Gordana Siljanovska Davkovën.