Gjithmonë ka ekzistuar një dilemë për momentin e duhur që një shtet duhet të shtyjë një politikë, që lidhet me çështjet që kanë të bëjnë me ripozicionimin në arenën ndërkombëtare. Për shembull, këtu mund të sjellim shtetet e vogla që nuk kanë fuqi dhe zë në politikën ndërkombëtare, dhe gjithmonë kërkojnë ndihmë dhe mbështetje nga shtetet e mëdha. Ndonjëherë, ndryshimi i situatave i sjell shtetet në një pozicion jo të mirë, për shkak të pozitës që ai shtet ka, fuqisë ekonomike që posedon apo thjesht burimeve natyrore që i zotëron.
Në këtë drejtim, zakonisht kur flitet për burime apo materiale strategjike, politikat e shteteve të fuqishme mund të ndryshojnë në favor të shteteve të vogla ose të shteteve që pretendojnë një rol më të madh në politikat rajonale. Si rast mund ta marrim Serbinë me rezervat e lithiumit, rolin e BE-së dhe të SHBA-së, ku ekzistojnë gjasa të mëdha që shumë çështje të përfundojnë ndryshe në Ballkan. Pozita e shteteve përreth Serbisë nuk do të jetë e njëjtë e që nënkupton se roli i tyre do të jetë më i dobtë në raportet me SHBA dhe BE.
I gjithë debati i kohëve të fundit rreth materialeve strategjike në Serbi ka një zanafillë më të hershme. Nuk ka të bëjë vetëm me pasuritë nëntokësore serbe, por me një politikë pragmatike të SHBA-së (të Perëndimit), atë të shekullit të 20 që daton aty pas LDB-së e që në atë kohë lidhej kryesisht me ndarjet ideologjike, ndërsa sot jo. Nëse atëherë vlerësohej se kalimi në bllokun perëndimor ishte vepër strategjike, sot në shekullin e 21, mendohet se marrëveshjet për burime nëntokësore shërbejnë si një mënyrë për të ofruar një shtet me një bllok më të madh gjeopolitik- ekonomik. Si dukej tetë dekada më parë gjendja ndërkombëtare?
Një botë e ndarë nga të mëdhenjtë, nga Stalini, Ruzvelti dhe Çerçili me zonat e tyre të ndikimit që nga Konferenca e Teheranit (1943), mbetën si të tilla deri në vitin 1989. Në Ballkan, në Jugosllavinë e atëhershme, pas përfundimit të LDB-së, Beogradi hapi një raport të ri diplomatik me shtetet perëndimore. Hapja e madhe u bë pas ndarjes Tito-Stalin në vitin 1948. Jugosllavia nuk u bë anëtare e Paktit të Varshavës që udhëhiqej nga BRSS-ja. Tito me Naserin dhe Nehrun, vazhdoi më tej politikën e largimit nga BRSS-ja, me themelimin e Lidhjes së Vendeve të Pa-Inkuadruara. Të motivuar fortë nga politika e Titos, SHBA-të pothuajse për dy dekada me të gjitha mjetet diplomatike dhe financiare filluan të ndihmojnë Jugosllavinë e Titos.
Linjat ajrore të kompanive amerikane nga SHBA-ja drejt Beogradit u bënë të zakonshme. Kompania jugosllave e fluturimeve JAT hapi disa linja ajrore për në SHBA, ndërsa kompania amerikane e fluturimeve Pan -American në vitin 1963, po ashtu i filloi fluturimet për në Beograd. Mundësitë tregtare u rritën shumë midis SHBA dhe Jugosllavisë. Nuk munguan as ndihmat ushtarake për Beogradin. Por, thyerja e madhe që ndikoi që SHBA dhe Perëndimi në përgjithësi të ndihmojnë Jugosllavinë, ishte largimi i Titos nga Stalini. Pra u desh diçka të ndodhte në mes dy shteteve që SHBA- të, më konkretisht administrata e presidentit Hary Truman në vitin 1948 të vendoste të ndryshonte kursin ndaj Jugosllavisë.
Prandaj asnjëherë nuk duhet të thuhet se disa veprime në politikën e jashtme dhe në diplomaci nuk mund të përsëriten në mes shteteve. Në kohën bashkëkohore në marrëdhëniet aktuale serbo-amerikane, pikërisht duhet të shohim paraqitjen e disa karakteristikave të politikës së mëhershme amerikane ndaj Jugosllavisë në Serbinë e sotit. Për popujt tjerë dhe kundërshtarët e politikës aktuale amerikane, e cila cilësohet si një politikë ledhatuese amerikane ndaj Serbisë, e në fakt nuk është asgjë e re në këto marrëdhënie, qëndrimi kaq miqësor amerikan ndaj Serbisë është i kuptueshëm në kontekst të përdorimit të një rregulli apo karte ekzistuese në diplomacinë amerikane jo vetëm ndaj Serbisë. Vetëm një krizë prej një dekade në marrëdhëniet serbo-amerikane kanë qenë pengesë për zhvillimin e hovshëm të raporteve serbo-amerikane.
Mund të përmendim një rast nga historia e pas LDB-së që ka ndikuar që këto marrëdhënie të jenë sot kaq të shkëlqyeshme. Në vitin 1950, ishte oficeri dhe më pas gjenerali amerikan Omar Bradley që do të lidhë shumë fortë SHBA-të dhe Jugosllavinë. Si një mbështetës i hapur i ofrimit të ndihmës amerikane dhe përmirësimit të marrëdhënieve me Jugosllavinë, në një fjalim në Kongresin Amerikan më 30 nëntor të vitit 1950 ai deklaroi: “Në radhë të parë, nëse mund t’i nxjerrim ata (jugosllavët) nga kampi armiqësor dhe t’i bëjmë neutralë, është një hap. Nëse mund t’i bëni ata të veprojnë si një kërcënim, ky është një hap i dytë. Nëse mund t’i bëni ata të marrin pjesë në mënyrë aktive në anën tuaj, ky është një hap edhe më tej dhe, natyrisht, nëse keni një angazhim ku përpjekjet e tyre integrohen me të tuat në mbrojtje, ky do të ishte akoma një hap më tej”.
Ky fjalim mund të konsiderohet si pikënisja e fazës së parë së ndihmës ushtarake dhe ekonomike të SHBA-së për Jugosllavinë, ndërsa sot për Serbinë në forma të ndryshme. Gjithashtu më 29 nëntor të vitit 1950, në Ditën e Republikës së RSFJ-së, presidenti Hary Truman i kërkoi Kongresit Amerikan të miratonte “Aktin jugosllav për Ndihmë Emergjente”. Dhe në të vërtetë ashtu ndodhi, ndihmat ekonomike dhe ushtarake arritën në Jugosllavi, ku pavarësisht përkeqësimit të marrëdhënieve në vitin 1991, sot të dyja shtetet janë në pikat e njëjta të marrëdhënieve si dikur, ku SHBA-së i duhej një Tito që të tërhiqte Jugosllavinë nga sfera sovjetike, ndërsa sot në Serbi i duhet një figurë tjetër që poashtu të largojë Beogradin nga Moska.
Në raportet aktuale, SHBA-ja duke e shtyrë BE-në në marrëveshje me rezervat e lithiumit me Serbinë, po i jep Beogradit disa mundësi që të thithë më shumë financa nga SHBA dhe BE, e njëkohësisht duke i dhënë kohë Serbisë. Se sa do të kenë sukses amerikanët me këtë politikë të përsëritjes, do të shihet në vitet në vazhdim. Politika amerikane me Serbinë bazohet pra pikërisht në specifikat e Luftës së Ftohtë, ku sipas disa analistëve është në disfavor të popujve tjerë të vegjël në Ballkan. Përfundimisht, mund të bindemi se miq në politikën ndërkombëtare nuk ka. Ky rregull i pashkruar vlen sidomos për shqiptarët që së fundi duken të habitur me sjelljet amerikane ndaj Kosovës. “Biznesi” në politikën ndërkombëtare vazhdon me mjete tjera të diplomacisë duke u mbështetur në të kaluarën e shteteve dhe interesat e kohës.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.